Më shumë se 20 vjet më parë, një 20-vjeçar shqiptar u vra me armë zjarri në Schlieren (ZH) dhe shoqëruesi i tij u plagos rëndë. Vdekja e tij mbeti mister duke qenë se vrasësi nuk u zbulua asnjëherë, por policia zvicerane duket se do rifillojë hetimet.
Gjatë hetimeve që pasuan ngjarjen, një 18-vjeçar shqiptar ishte dyshuar se ka kryer krimin, por çështja ishte mbyllur në vitin 2003 për shkak të provave të pamjaftueshme.
Rreth 20 vjet më vonë autoritetet po bëjnë një përpjekje për rifillimin e procedurës, shkruan Limmattaler Zeitung.
Policia e Zyryhut po rifillon tani hetimet me një qasje të re, duke ofruar një shpërblim prej 10,000 frangash për këdo që ka informacion mbi ngjarjen. Një arsye për këtë hap mund të jetë fakti se, me përjashtim të vrasjes, të gjitha krimet e tjera të kryera në ambientin e të dyshuarit dhe viktimës janë tashmë të parashkruara (nuk ndiqen për shkak të vjetrimit).


