Zbardhen detaje nga ngjarja e rende qe ndodhi mbrëmjen e djeshme në fshatin Sinë, Njësia Administrative Arras, Dibër. Nje i ri mbeti i vdekur, pasi u godit me thikë nga një bashkëmoshatar i tij. Të rinjtë janë konfliktuar pas një sherri banal në qendër të fshatit.
“Viktima e këtij konflikti është shtetasi Idajet Zogu, 25 vjeç, banues në fshatin Sinë e Epërme. I riu është goditur disa herë me thikë në fund të barkut dhe kofshë”, bëri të ditur Policia e Dibrës.
Mësohet se të pranishëm në momentin e sherrit kanë qenë edhe tre të rinj të tjerë, por ata nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar ngjarjen e rëndë. Sapo autori, tashmë i identifikuar si Aleksander Balla, ka nxjerrë nga brezi thikën, të pranishmit janë larguar. Agresori e ka goditur disa herë Zogun dhe është ngjitur në mal.
Pas largimit të autorit, të rinjtë u rikthyen te shoku i tyre dhe pasi u përpoqën të ndalnin rrjedhjen e gjakut, e transportuan të plagosurin rëndë drejt Spitalit Rajonal Peshkopi. Megjithëse i dëmtuari u dërgua shpejt në urgjencën e spitalit, ai nuk i mbijetoi plagëve si pasojë e humbjes së madhe të gjakut gjatë rrugës dhe mbërriti i pajetë në duart e bluzave të bardha të Dibrës.
Mjekët thanë se Idajet Zogu kishte plagë të rënda në trup dhe se i ishin dëmtuar enët e gjakut. Menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur disa efektivë të Policisë lokale.
Sakaq, banesat e familjeve të përfshira në konflikt janë marrë në mbrojtje nga Policia. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, mbështetur nga forcat policore operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, kanë ngritur pika kontrolli dhe po hetojnë intensivisht për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
“Policia e Dibrës ka marrë informacion se në Njësinë Administrative Arras dyshohet se është plagosur me mjete prerëse shtetasi I.Z, rreth 25 vjeç. I dëmtuari ka humbur jetën rrugës për në Spitalin e Peshkopisë. Grupi hetimor vijon hetimet në vendin e ngjarjes. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, mbështetur nga forcat policore operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, kanë ngritur pika kontrolli dhe po hetojnë intensivisht për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, njoftoi Policia.


