Dy persona të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptarë janë arrestuar jashtë vendit.
37-vjeçari Aleksandër (Aldo) Baho është kapur në Pisa të Italisë, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u ndalua i shumëkërkuari Valentin Ftoni.
Ky i fundit i është shmangur drejtësisë duke përdorur identitete të ndryshme ndërsa në Shqipëri ka një dënim me 25 vite burg për vrasje. Në vitin 2001 së bashku me kunatin i tij Paulin Kola, akuzohen se kanë vrarë për hasmëri shtetasin Behar Becaj.
Ndërsa Aleksandër (Aldo) Baho i njohur me nofkën “Sakati” konsiderohet si krahu i djathtë i Endrit Alibej, i vrarë më 29 dhjetor të vitit 2018. GJKKO ka caktuar ndaj tij “arrest me burg” për vrasje të mbetur në tentativë, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Policia njofton se 37-vjeçari dyshohet se në vitin 2022, në kuadër të grupit kriminal ku bënte pjesë, ka ndërmjetësuar për vrasjen e Lulzim Mashës në Tiranë, krim që nuk u krye. Sipas dëshmive të të penduarve të drejtësisë Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhaj, armët e përdorura në atentat u morën nga Aldo Baho në Elbasan.


