Arbër Paplekaj, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në 21 prill të vitit 2021, ka mbërritur në gjykatën e Elbasanit për seancën e rradhës e cila ka nisur që nga ora 09:30.
Në seancën e kaluar gjykata rrëzoi kërkesën e prokurorisë së Elbasanit për thirrjen e deputetit të PD-së, Gazment Bardhi për të dhënë dëshminë e tij si i pranishëm në vendin e ngjarjes në momentin kur ndodhi vrasja.
Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demorkatike, Gazment Bardhi. Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë).
Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota. Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend. Këtë e bëri publik me zë dhe me figurë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi duke bërë me dije se Arbër Paplekaj që vrau Xhuvanin të paarmatosur, ishte pjesë e kësaj strukture


