Violand Braçellari, i akuzuar për vrasjen e efektivit të Policisë së Shtetit Enea Mekolli dhe plagosjen e kolegut të tij Edison Adri në Lozhan të Maliqit, është larguar nga Spitali i Traumës, pasi gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar.
43-vjeçari ndodhet tashmë i shtruar në spitalin e burgut pranë QSUT-s, ku do të vijojë trajtimin mjekësor nën masa të rrepta sigurie. Pas përfundimit të mjekimit, ai pritet të transferohet në një institucion të sigurisë së lartë, si burgu i Drenovës ose ai i Peqinit. Sipas të dhënave të hetimit, Braçellari dyshohet se ka përdorur municion blindëshpues gjatë sulmit me armë automatike ndaj dy efektivëve të policisë. Si pasojë e të shtënave, Enea Mekolli humbi jetën pasi mori pesë plagë, ndërsa Edison Adri mbeti i plagosur.
Paralelisht, organi i akuzës ka nisur edhe një hetim për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, për të verifikuar mënyrën e organizimit të operacionit policor dhe rolin e drejtuesve të Policisë së Korçës. Në kuadër të këtij hetimi pritet të merren në pyetje disa efektivë dhe drejtues policie, mes tyre edhe drejtori i Policisë së Korçës, Vilson Bala, si dhe nëndrejtori Eduart Allushi, për të sqaruar nëse kanë pasur informacion paraprak mbi rrezikshmërinë e Braçellari.


