Policia e Tiranës ende nuk ka asnjë gjurmë apo provë që mund të ndihmojë në identifikimin e autorit që ekzekutoi Edmond Sulën në fshatin Bërxullë.
50-vjeçari u godit për vdekje me një plumb teksa po futej në banesën e tij. Distanca nga ku autori ka qëlluar besohet të jetë të paktën 30 deri në 40 metra. Pumbi ka hyrë në pjesën e kurrizit dhe ka dalë në kraharor, e si pasojë e hemoragjisë së lartë, ai ndërroi jetë në vend.
Pista kryesore e hetimeve lidhet me çështjen e pronave. Sula kishte patur përplasje me disa persona për disa prona në zonën e Vorës dhe jo vetëm. Ai njihej si një person me ndikim në zonë, i skeduar më herët nga drejtësia, ndërkohë që kryente dhe rolin e sekserit për toka apo pasuri të ndryshme sidomos në periferi të Tiranës.
Një tjetër pistë është ajo e konflikteve që ai mund të ketë patur me banorë të zonës. Edmond Sula gjatë kohëve të fundit ka patur përplasje fizike me disa persona. Megjithatë, nuk ka ende prova të mjaftueshme për asnjë prej këtyre pistave.
Pamjet e kamerave te sigurisë që kanë filmuar autorin janë të pakta dhe jo të qarta. Ato tregojnë autorin duke u larguar në këmbë, nën dritën e makinave të rastit. Më pas ai humbet gjurmët, ndoshta i ndihmuar me një automjet nga persona të tjerë.
Për shkak se viktima është qëlluar me një plumb të vetëm nga larg, dyshohet se arma mund të ketë qënë pushkë ose snajper.
Ndërkohë, hetuesit po verifikojnë dhe faktin që autori kishte dijeni për lëvizjet e viktimës. Ky i fundit pasi ka parë ndeshjen është çuar nga lokali dhe është nisur drejt banesës. Dyshohet se një tjetër person që ka vëzhguar 50-vjeçarin, ka vënë në dijeni autorin për lëvizjet e viktimës.


