Deri 30 minuta para krimit që ndodhi të shtunën në zonën e “Astirit”, në Tiranë, të dy viktimat kishin lëvizur në disa zona në kryeqytet dhe ishin në shoqërinë e një vajze. Ata janë ndjekur për disa metra nga autorët që kanë qëlluar nga njëra anë e “Audit” luksoz, që drejtohej nga Erigers Mihasi dhe ku pasagjer ishte Armand Dumani.
Burime nga grupi hetimor thanë se shënjestra e atentatorëve ishte 32-vjeçari Erigers Mihasi. Ndërsa të dyshuar për ngjarjen janë anëtarë të klanit “Duka”, pas një konflikti që ka nisur që në vitin 2018 për çështjen e lojërave të fatit.
Mihasi, i cili njihet si krahu i djathtë i Ervis Martinajt, kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga jashtë. Në 4 orët e fundit Mihasi dhe Dumani kanë qëndruar në vende të ndryshme në kryeqytet. Automjeti që u sharrua nga plumbat e kallashnikovit, duke lënë të vdekur në vend dy të rinjtë, ishte blerë për 70 mijë euro në Lezhë, duke u paguar cash, vetëm pak kohë më parë.
Dy viktimat kanë qëndruar në shoqërinë e një vajze, kontakti i fundit para se të vritej. Pasi e kanë lënë rreth orës 19:00, në afërsi të “Komunës së Parisit”, kanë shkuar në rrugën ku ka ndodhur ngjarja te “Dy Rrathët”.
HETIMET
Ngjarja e së shtunës mbrëma është referuar në Prokurorinë e Tiranës si “vrasje në rrethana cilësuese”, e kryer në bashkëpunim. Policia ka shoqëruar dhjetëra persona dhe ka kontrolluar disa banesa në Tiranë. Mes banesave që është ushtruar kontroll është edhe ajo e 46-vjeçarit Elvis Gaçaj, i cili njihet si një nga anëtarët e klanit “Duka”. Gjatë kontrollit në shtëpinë e Gaçajt, bashkëshortja e tij është shprehur se ai nuk ndodhej në shtëpi, pasi kishte ikur për peshkim jashtë Tirane dhe se nuk mban telefon me vete.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe të afërm të personave që konsiderohen si anëtarë të këtij grupi, të cilët janë në gjykim për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, i cili ishte mik i viktimës, Erigers Mihasi. Po ashtu, është ushtruar kontroll edhe në një lokal në Tiranë, i cili njihet si bazë e klanit “Duka”.
VAJZA NE MAKINE
Burime nga grupi hetimor thanë se dy viktimat ishin takuar bashkë mesditën e së shtunës. Sipas një prej dëshmitareve që është marrë në pyetje nga Policia, e cila është e njohur e Erigers Mihasit, ata e kanë marrë në makinë rreth orës 16:30. Vajza ka deklaruar se rreth orës 19:00 ka zbritur pranë “Komunës së Parisit”, pasi kishin shëtitur me makinë nëpër Tiranë.
“Në orën 19:25 të asaj mbrëmjeje, Erigersi më dërgoi si ‘emoji’ një trëndafil”, thotë vajza në dëshminë e saj. Gjithashtu, ajo ka deklaruar se asnjëri nga viktimat nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim gjatë kohës që ajo ishte me ta në makinë, madje nuk kishin vënë re as ndonjë gjë të dyshimtë gjatë shëtitjes.
EKSPERTIZA
Deri tani, Policia nuk ka asnjë emër konkret, si të dyshuar për ngjarjen e së shtunës tek “Astiri”, ku u qëllua me breshëri automatiku drejt automjetit tip “Audi A7”, brenda të cilit mbetën të vrarë shoferi, Erigers Mihasi, 32 vjeç dhe pasagjeri, Armand Dumani, 26 vjeç. Mihasi, njihej si krahu i djathtë i Ervis Martinajt dhe mik i Santiago Malkos, i ekzekutuar në vitin 2019. Gjithashtu, 32-vjeçari Erigers Mihasi dyshohej edhe si person që kishte lidhje me bazën e armatimit në Yrshek të zbuluar pak kohë më parë, por që u shpëtua pasi fajin për këtë bazë e mori Gëzim Haroku.
Gjithashtu, bashkë me këtë shtetas, Mihasi dyshohej se kishte qëlluar me armë ndaj një hoteli në rrugën dytësore Tiranë-Durrës. Rreth 2 orë pas ngjarjes në zonën e Thumanës është gjendur një makinë e djegur plotësisht, e cila dyshohet se është e autorëve të vrasjes. Brenda makinës janë gjendur edhe 2 kallashnikovë, armë me të cilat dyshohet se u krye atentati me 2 të vrarë në zonën e “Astirit”. Targat e mjetit “Toyota”, që u gjet i djegur janë “AA 532 ON” rezultojnë të vjedhura në Tiranë.
Nga ekspertiza e kryer rezulton se Erigers Mihasi është vrarë me 13 plumba, një prej të cilëve e ka kapur në qafë dhe pjesa tjetër në shpinë. Ndërsa miku i tij 26- vjeçar, Armand Dumani, ka marrë 4 plumba. Në drejtim të dy të rinjve është qëlluar me breshëri kallashnikovi, ndërsa burimet thonë se brenda në mjet u gjetën 7 gëzhoja e shumë të tjera u mblodhën në vendin e ngjarjes. Atentati, sipas grupit hetimor, ka qenë i përgatitur prej kohësh dhe është realizuar nga vrasës me pagesë. Për të parë lëvizjet dhe për të përcaktuar kohën e ndjekjes së viktimave nga autorët, Policia ka sekuestruar dhjetëra kamera sigurie në zona ku nga dëshmitë rezultojnë të kenë udhëtuar të rinjtë.
Çfarë fiksuan disa nga kamerat e sigurisë
Grupi hetimor po këqyr të gjitha pamjet filmike të përftuara nga dhjetëra kamera sigurie në disa rrugë ku ka kaluar makina e atentatorëve. Kamerat e sigurisë në aksin e Unazës së Re kanë ndihmuar oficerët e Policisë që të identifikojnë automjetin e djegur të autorëve të dyshuar në atentatin. Burimet thanë se dy kamerat, të cilat kanë fiksuar momentin teksa mjeti “Audi A7” i bardhë, që drejtohej nga Mihasit dhe ku ishte pasagjer shoku i tij, vjen nga zona e “Pallatit me Shigjeta” dhe ul shpejtësinë për t’u futur në të majtë në kthesën drejt Yrshekut mbi urën e nënkalimit.
Ndërsa nga pas tyre vjen një automjet “Toyota”, që ka rezultuar i vjedhur në Greqi dhe po ashtu me targat “AA 532 ON” të vjedhura në 2 korrik në Tiranë. Ky mjet sipas rindërtimit të skenës së krimit pa ndaluar në asnjë moment, hap zjarr nga sedilja e pasme e pasagjerit duke lënë të vdekur në vend Mihasin dhe Dumanin. Mbi 20 plumba kallashnikovi janë shkrepur ndaj dy të rinjve, ndërsa mjeti i viktimave ka qenë në lëvizje dhe ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurën dhe shtyllën e ndriçimit në rrugë.


