Strehimi refugjatëve afganë, të cilët po largohen nga vendi i tyre pas marrjes së pushtetit nga talebanët, ka qenë sërish një nga temat për të cilat ka folur kryeministri i vendit Edi Rama në mediat ndërkombëtare.
Në një intervistë për ‘The Sunday Times’ kreu i qeverisë ka deklaruar se shqiptarët ishin afganët 30 vite më parë, ndërsa u përpoqën që t’i shpëtonin regjimit të asaj kohe. Rama tha ai ndjen përgjegjësisë e tij për t’i strehuar, duke shtuar se ne si vend kemi pasur luftën në derë dhe se kemi parë njerëz të vrarë.
“Ndryshe nga shumë vende të tjera evropiane“, tha ai, duke shtuar se “për shqiptarët konflikti, uria dhe shpërngulja ishin përvojë në kujtesë. Për ne, lufta ka qenë shumë e vërtetë. Ne kemi pasur luftë në derën tonë. Ne kemi parë njerëz të vrarë dhe kemi pasur njerëz që njohim që janë vrarë.”- tha Rama.
‘The Sunday Times’ i rikthehet sundimit të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, ku thekson se për dekada shqiptarët iu nënshtruan një represioni brutal dhe vendi u bë më i varfri dhe më i izoluari në Evropë. Kur regjimi komunist ra në 1990, pesë vite pas vdekjes së Hoxhës, vendi u kap nga valët e trazirave dhe dhunës.
“Për ne është shumë e qartë”, tha Rama. “Ne kemi qenë afganë tre dekada më parë kur ikëm nga ferri ynë! Pra, tani ata janë shqiptarët e 30 viteve më parë dhe ne duhet të jemi atje si të tjerët për ne”, shtoi ai.
Kryeministri Rama po ashtu tha se në Afganistan nuk ka një koordinues dhe se është shumë e vështirë që qytetarët të kalojnë murin rrethues për t’u futur në aeroportin e Kabulit. Rama thotë se shumë shtete po hasin vështirësi në evakuimin e qytetarëve dhe se situata atje është kaotike, madje sipas tij kjo është edhe arsyeja se pse shtete e vogla nuk po evakuojnë njerëzit siç ishte planifikuar.
“Duket se nuk ka një koordinues atje, nuk ka një qendër të përbashkët operacionesh, nuk ka asgjë, vetëm secili për veten! Shumë shtete po kërkojnë një pikë kontakti të përbashkët, e lëre më organizatat humanitare që nuk e dinë kujt t’i drejtohen. Ende nuk ka asnjë mënyrë për t’i kaluar njerëzit nëpër porta nëse nuk jeni një shtet i madh, madje edhe për shtetet e mëdha duket mjaft e çrregullta. Kjo është arsyeja pse të gjitha organizatat janë të bllokuara. Shtetet e mesme ose të vogla nuk janë në gjendje të evakuojnë njerëzit siç ishte planifikuar.”- tha Rama.


