Një ditë pas ngjarjes së ndodhur në zyrën e një dietologeje në Tiranë, ku një person ka vjedhur portofolin e një klienteje, është bërë i mundur arrestimi i tij. Ai është shtetasi Durim Sema, 55 vjeç, banues në Tiranë.
Pas këtij rasti, 55-vjeçari Sema ka tentuar të vjedhë edhe një shtetas tjetër në ambientet e një agjencie, po në kryeqytet.
Gjithashtu nga veprimet hetimore të kryera rezulton se ky shtetas është autor edhe i tre vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë në Tiranë.
“Ky shtetas në rrugën “Themistokli Gërmenji”, në zyrat e një Agjencie ka tentuar të vjedhë shtetasin N. S., ndërkohë që po një ditë më parë në rrugën “Brigada 8”, në një dyqan dietologjik, i ka vjedhur portofolin shtetases V. T.
Nga veprimet e kryera hetimore rezulton se ky shtetas është autor edhe i tre vjedhjeve të mëposhtme:
– Vjedhjes së ndodhur më datë 09.03.2018, ku shtetasit A. K., në rrugën “Xhorxh Bush”, i janë vjedhur një sasi lekësh.
– Vjedhjes së ndodhur më datë 30.03.2018, ku shtetases N. T., në rrugën “Papa Gjon Pali”, në klinikën e saj i kanë vjedhur një sasi lekësh.
– Vjedhjes së ndodhur më datë 10.05.2018, ku shtetases V. U., i kanë vjedhur portofolin në zyrë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sakaq, në cilësinë e provës materiale, 55-vjeçarit Durim Sema i janë sekuestruar sendet që dyshohet se i ka vjedhur, si portofol, syze dielli dhe optike, një sasi lekësh, orë dore, dhe një aparat celular.
Materialet në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “Vjedhjes”.