Po mbahej në përgjim për lëndë narkotike, i gjejnë në makinë mina me sahat.
Roberto Hodaj, 26 vjeç, u vu në pranga pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat policore, në mjetin tip “Benz ML”, që përdorej prej tij, i janë gjetur dy mina me sahat.
I riu i kishte fshehur dy minat në pjesën e fouristradës ku zakonisht vendoset kutia e ndihmës së shpejtë për automjetet. Ndërsa, pas kontrollit në banesë, iu gjet edhe një sasi prej rreth 7 kg lëndë narkotike “Cannabis Sativa”.
Burime nga blutë e Vlorës kanë konfirmuar se Hodaj ishte nën vëzhgim prej disa ditësh nga Policia e Vlorës, pas informacioneve të siguruara nga këta të fundit se 26- vjeçari kryente veprimtari të jashtëligjshme, kryesisht të lëndëve narkotike.
Pas një pune disa ditore, të kryer nga forcat e Policisë për krimet e rënda dhe seksioni për hetimin e narkotikëve, 26- vjeçari Hodaj është ndaluar në momentet kur ishte në lëvizje me mjetin e tij tip “Benz ML”.
Gjatë kontrollit të mjetit, Policia ka arritur të gjejë dy mina me sahat, ndërsa kontrolli për veprimtarinë e 26-vjeçarit është shtrirë në banesën e tij, në lagjen “Rilindja”, aty ku pas kontrollit të ushtruar, janë gjendur rreth 7 kg lëndë narkotike “Cannabis Sativa”.
Blutë e Vlorës kanë sekuestruar në cilësinë e provës material dy minat me sahat dhe sasinë e lëndës narkotike, ndërsa hetimet janë shtrirë nga këta të fundit për të verifikuar nëse ka edhe persona të tjerë të përfshirë. Ndërkohë, dyshimet e Policisë lidhen me minat e gjetura dhe destinacionin e tyre.
Pritet që 26- vjeçari të merret në pyetje për to, por edhe sasinë e lëndës narkotike të sekuestruar. Deri tani, i riu nuk ka deklaruar ende asgjë në Policinë, ndërsa këta të fundit, duke parë se minat ishin me sahat, dyshojnë se mund të shërbenin për ndonjë ngjarje kriminale.


