Një tjetër ngjarje me prapavijë kriminale ka ndodhur mesditën e kësaj të shtunë në qytetin e Vlorës. Burime për “BalkanWeb” raportojnë se një sasi e konsiderueshme lënde plasëse, në formën e një bombe artizanale me benzinë (molotov), është hedhur brenda murit rrethues të shtëpisë së shtetasit Arben Hajdari.
Në oborrin e banesës kanë qenë të strehuara një gomone dhe një skaf, të cilat shtetasi i mësipërm i përdorte gjatë verës në shërbim të turizmit, si “tour operator”.
Aktualisht ky shtetas jeton jashtë Shqipërisë. Fatmirësisht nuk janë shënuar dëme të mëdha.
Fillimisht garazhi ka marrë flakë, por menjëherë zjarri është vënë nën kontroll nga forcat zjarrfikëse dhe ato policore që janë gjendur në vendngjarje. Sipas familjarëve dyshohet se ngjarja ka si prapavijë konkurrencën. Sakaq blutë e Vlorës janë duke punuar për identifikimin e autorëve.


