Qyteti nuk mund të mbahet peng nga asnjë minorancë e zhurmshme. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga Denveri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku mori në konferencën vjetore me temë “Qytete që rriten me gjelbërim”, në të cilën prezantoi Tiranën dhe projektet transformuese të saj, u shpreh se qyteti nuk mund të ndalet në rrugën për të ecur përpara me Teatrin Kombëtar, Unazën e Re, zgjatimin e Lanës apo Bulevardin e Ri, pavarësisht kundërshtive që mund të kenë pakica të caktuara të lidhura me politikën.
Kryebashkiaku tha se ashtu siç janë kundërshtuar çdo gjë e mirë e bërë nga Bashkia e Tiranës për qytetarët në këto 4 vjet, edhe projekti i Teatrit të Ri do të zhvillohet dhe kryeqyteti do ketë një teatër modern, bashkëkohor, i cili do t’i shërbejë si aktorëve, ashtu edhe artdashësve.
“Kemi kaluar disa sfida në mandatin tonë të parë: mbaj mend këndet e lodrave, protestat kundër tyre. Edhe këtu në Amerikë shumë prej projekteve që sjellin ndryshim përshkohen nga një sens histerie, protestash apo pakënaqësie. Megjithatë, kur ndryshimi vjen, përqafohet nga të gjithë. Në Tiranë ndryshimi do të vijë edhe për çështje shumë të debatueshme, si zgjatimi i Lanës, Unaza e Madhe, Teatri i Ri Kombëtar, por janë ndryshime absolutisht të nevojshme dhe të pakontestueshme. Pra, nuk mundet që qyteti të mbahet peng prej disa minorancave që do ekzistojnë gjithmonë, dhe gjithmonë nuk do të bien dakord. Më vjen mirë se si Tirana, në aktivitetin më të madh të bashkive në SHBA, është sot imazhi i një Shqipërie moderne, i një Shqipërie që po ndryshon, që ka plot probleme, por që më e mira është përpara”, tha Veliaj.


