Rreth 80% e teksteve të viteve të kaluara janë mirëmbajtur dhe do të ripërdoren këtë vit ndërsa deri tani në nivel të përgjithshëm janë shpërndarë 11% e teksteve falas të klasave 1 deri në të pestë.
Në një intervistë televizive, Rozalba Merdani përgjegjëse e Sektorit të Politikave dhe Strategjive të Arsimit u shpreh se “Këto tekste janë mirëmbajtur dhe janë trajtuar mirë nga nxënësit dhe mund të shërbejnë edhe për këtë vit shkollorë. Ato janë mbajtur në shkollë që në muajin qershor, do të kompletohen me pjesën që u mungon dhe në formë pakete do t’u shpërndahen nxënësve gjatë këtyre ditëve.11% e teksteve falas të klasave 1 deri në të pestë janë shpërndarë, në nivel të përgjithshëm”, ndërsa shtoi se rreth 80% e teksteve do të ripërdoren.
Lidhur me tekstet shkollore, Merdani tha se këto të fundit kalojnë një procedurë të tëre vlerësimi dhe zgjedhja e tyre është një procedurë e caktuar prej vitesh, brenda të gjitha standardeve të cilat kalon çdo tekst ku përzgjidhen më të mirat.
Ajo shpjegoi po ashtu se mësuesit kanë një vit kohë për t’u shprehur për tekstet e tyre dhe në rastet e caktuara kur kanë konstatuar pasaktësira, ato kanë të drejtë dhe detyrë që të raportojnë çdo parregullësi, sugjerim apo përmirësim të teksteve.
Shqetësimit të kahershëm për mësimin me dy turne, Merdani tha se numri i shkollave është ulur vit pas viti.
“Shkollat me dy turne kanë ardhur duke u ulur vit pas viti. Normalisht, shkollat e arsimit bazë në disa raste mund të kenë ciklin fillor pasdite dhe synimi ka qenë që edhe këto të minimizohen si grup, të reduktohet numri I shkollave që ofrojnë mësimin me dy turne dhe ka ardhur duke u ulur numri i tyre.Në arsimin e mesëm në Tiranë, janë reduktuar dukshëm numri i shkollave që ofrojnë mësim me turn. Po shihet mundësia për minimizimin për reduktimin e këtij fenomeni”, -u shpreh Merdani.
Për sigurinë e nxënësve edhe këtë vit janë punësuar oficerët e sigurisë, një proces që sipas saj do të vijojë.


