Raundi i dytë i regjistrimeve për në universitet mbyllet në fund të kësaj jave në mënyrë që gjithçka të jetë gati më 5 tetor kur dhe do të nis viti i ri akademik.
Drejtori i rrjetit akademik shqiptar, Arjan Xhelaj, thotë se deri tani janë regjistruar mbi 20.000 studentë, por ende ka mundësi zgjedhje për maturantët që nuk kanë vendosur se çfarë do të vazhdojnë.
“Një shifër mbi 20 mijë maturantë do të jetë numri i maturantëve që do të ulen në auditoret e universiteteve më 5 tetor. Ka ende kuota të tjera të lira. Degët kryesore janë ezauruar, siç e thashë, ato që lidhen me shëndetin, si Mjekësia e Përgjithshme, Stomatologjia dhe disa të tjera, si edhe Inxhinieria dhe Informatika, ku kuotat janë drejt ezaurimit. Këtu dhe aty mund të ketë ende ndonjë kuotë të lirë në këto programe, por ka akoma kuota të tjera në programe të tjera, si Ekonomi, Juridik, Shkenca Sociale dhe Shkenca Politike”, u shpreh Xhelaj.
Por si do te procedohet në raundin e tretë.
“Faza e lirë, që i përket raundit të tretë, vijon me këtë procedurë: fillimisht, universitetet kanë detyrimin të vijojnë me listën vijuese, domethënë me ata maturantë që ishin në listat e pritjes. Nëse do të mbeten ende kuota të lira, atëherë universitetet mund të regjistrojnë edhe maturantë të tjerë ose aplikantë që nuk kishin aplikuar më parë për atë program, por që janë pjesë e portalit”, tha ai.
Ndërsa për programet që rezultojnë me një numër të reduktuar studentësh, Xhelaj thotë se universitetet mund të vendosin të bëjnë edhe riorganizimin tyre.
“Për ato programe që vërtet, ndër vite, kanë rezultuar problematike, disa universitete kanë reaguar dhe nuk i kanë ofruar fare për këtë fillim viti akademik. Edhe pas analizës që bëjnë, ato programe shkurtohen dhe një pjesë e kurrikulës që vlen për studentët mund të kalojë në programe të tjera të ngjashme”, theksoi Xhelaj për RTSH.
Deri më tani rezulton pothuajse i njëjti numër studentësh të regjistruar me atë të një viti më parë. Më 21 tetor kur dhe do të përmbyllet i gjithë procesi i regjistrimit parashikohet që ky numër të arrijë mbi 21 mijë studentë.


