Silva Bino, përgjegjëse e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, ka thënë mbrëmjen e sotme se edhe pse rasti i parë me koronavirus në Shqipëri u konfirmua zyrtarisht në datë 9 mars, shenjat e para nga studimi epidemiologjik kishin filluar në 28 shkurt.
Në lidhje me zërat se në covid-19 në Shqipëri është shfaqur më herët, Bino u shpreh në emisionin “360 Gradë” se kjo nuk është e mundur pasi në spitale do kishte pasur grumbullime dhe shtim të vdekjeve.
“Nga masat e distancimit fizik kemi një lloj zbehje të kësaj epidemie. Parandaluam përhapen e gjerë komunitare të virusit. Këto elemente duhet t’i monitorojmë hap pas hapi. Rasti i parë është në 9 mars, por gjatë evidentimit të rasteve, ne vumë re që kishte disa raste që shenjat kishin filluar në datë 28 shkurt. Ne nuk kemi pasur epidemi në atë kohë, sepse nuk të fal, pasi do të kishim grumbullime dhe vdekje në spitale. Është një sëmundje që lë shenjën e vet. Mund të kemi pasur qarkullime sporadike të rasteve në shkurt. Pra, nuk kemi pasur epidemi në janar, apo në shkurt siç është thënë nga disa ekspertë, pasi kjo është një sëmundje që lë gjurmë dhe kemi pasur qarkullim intensiv të gripit”, u shpreh Silva Bino, përgjegjëse e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP.
Ndërkohë, në një replikë me gazetarin Artur Çani se sipas tij rastet e para me koronavirus në Shqipëri kanë qenë që në janar, Silva Bino e mohoi duke thënë se mostrat e personave të vdekur gjatë kësaj periudhe ishin analizuar dhe kishin dalë negative.
Bino: Sepse i kam testuar mostrat dhe nuk kanë rezultuar Covid. Kemi testuar edhe persona që kanë vdekur, kemi marrë mostra edhe nga të vdekurit.
Çani: Këto gjëra nuk janë kështu.
Bino: Kështu janë, se mostrat te të vdekurit kanë dalë negative.


