Publikohet videoja e përplasjes me armë në Bllok, më 4 tetor të këtij viti, ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljon Hato. Siç tregojnë dhe pamjet, e gjithë ngjarja ka ndodhur në harkun kohor të 2 minutave e 30 sekondave.
Në videon e publikuar nga Report Tv jepet momenti kur hyn brenda lokalit Ervis Martinaj dhe shokët e tij. Në pamje shihet edhe momenti kur i dashuri i këngëtares Elvana Gjata, Ervin Mata dhe komandoja Mervjol Bilo dalin nga lokali.
Nga ajo çka tregojnë pamjet në video, rezulton se përplasja me armë në Bllok nuk ka ndodhur pas një takimi të Ervis Martinaj dhe Ervin Matës, por grupi i Ervis Martinajt ka hyrë brenda lokalit dhe menjëherë ka nisur sherri.
Dinamika e ngjarjes
Ka qenë ora 21:27 minuta e datës 4 tetor 2018, kur Ervis Martinaj, Eljon Hato, Redi Popescu dhe një i ri tjetër, i paidentifikuar hyjnë së bashku brenda lokalit Monopol në ish-Bllok. Pas tyre afrohen edhe dy shokë të tjerë të Ervis Martinajt, përfshirë Fabjol Gaxhën, i cili mbeti i vrarë nga kjo përplasje me armë.
Sherri nis me grushte në orën 21:28 minuta e 30 sekonda. Në këtë moment shihen teksa dalin me vrap dhe të frikësuar personat që ishin brenda lokalit Monopol.
Në orën 21:29 minuta dhe 20 sekonda dallohet teksa grupi i Ervin Matës konfliktohet me grushta më grupin e Ervis Martinaj. Report Tv ka arritur të mësojë se në këtë moment me grushta zihen Ervis Martinaj me Ervin Matën, Fabjol Gaxhën si dhe Eljon Hato me komandon Mervjol Bilo. Pamjet në video tregojnë Mervjol Bilon dhe Eljon Hato, të cilët po qëllojnë njëri-tjetrin.
Të shtënat e para janë dëgjuar në orën 21:29 minuta e 30 sekonda, ku nga video shihet që komandoja Mervjol Bilo qëllon Eljon Haton.
Disa sekonda pasi janë dëgjuar të shtënat, shihet se nga lokali Monopol dalin Mervjol Bilo, Ervin Mata, i dashuri i Elvana Gjatës, Geldo Hoti dhe një person i cili nuk dallohet qartësisht.
Më pas, nga lokali del Redi Popesku dhe Ervis Martinaj, i cili është plagosur në qafë dhe dorën e ka të gjakosur.
Një shok i tij është afruar dhe e ka marrë në krah për ta çuar në spital. Hato mban një telefon në dorë dhe dallohet që nuk është në gjendje të ecë.


