Ekipi i Këlcyrës kanë bllokuar sot rrugën nacionale Këlcyrë-Përmet, bashkë me disa mbështetës të ekipit të tyre në shenjë proteste ndaj arrestimit të 3 futbollistëve të Këlcyrës. Sipas tifozëve, ka qenë arbitri ai që ka provokuar lojtarët, me anë të vendimeve të tij të qëllimshme.
Kapiteni i ekipit të Këlcyrës është shprehur se qëllimi i arbitrit të ndeshjes, Alvi Paço ka qenë fundosja e ekipit. “Arbitri i takimit, Paço, dha një penallti të paqenë dhe dy kartonë të kuq për ekipin tij. Dhuna nuk është e justifikuar, por e bëri veten, fshatar arbitër. Më ka thënë personalisht ndeshjen do ta fitojë Përmeti. I kam thënë po deshe e bëj unë golin, por mos na ndëshkoni. Ai me një gur vrau dy zogj“, tha ai.
Po ashtu nuk ka munguar edhe reagimi i trajnerit të Këlcyrës, Robert Spahiu, i cili e akuzon arbitrin e dhunuar se ka marrë rryshfet për favorizimin e ekipit të Përmetit. “Kam shkuar dy herë në federatë për një arbitër që ishte në rregull me ndeshjen, të ishte më i mirë, në mënyrë që të mos ziheshin dy qytetet me njëri-tjetrin. Tërhoqa ekipin për të mos e vijuar lojën. Dyshojmë se ka marrë ryshfet. Dhuna është e dënueshme por kjo është e vërteta. Nuk mund të na përjashtojë një arbitër i korruptuar nga kategoria”, tha trajneri i ekipit të Këlcyrës, i cili u shoqërua në komisariat pas dhunës ndaj arbitrit fierak.
Tifozët gjjithashtu paralajmëruan përshkallëzimin e protestave deri në grevë nëse lojtarët e ekipit të tyre nuk lirohen.
Përgatiti: AlpeNews.al


