Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori perballet me procesin e vetingut. Ai zotëron një pasuri familjare me vlerë rreth 58.7 milionë lekë, ndërkohë që të ardhurat ndër vite llogariten në 99.7 milionë lekë.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori eshte i pranishem pa avokat perballe Komisionit te Pavarur të Kualifikimit.
Trupi gjykues që ka kryer procesin e rivlerësimit për kreun e Gjykatës së Lartë drejtohet nga Olsi Komici, me anëtarë Roland Ilia dhe Pamela Qirko.
Xhezair Zaganjori është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 1981 dhe që nga ajo kohë ka qenë lektor i të Drejtës Ndërkombëtare Publike, të Drejtës Europiane dhe të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës dhe Shkollën e Studimeve Europiane.
Në vitet 1992-1997, Zaganjori ka qenë ambasador në Gjermani. Ndërsa në vitet 1998-1999 ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, për të Drejtën Ndërkombëtare dhe të Drejtën Kushtetuese në Heidelberg të Gjermanisë.
Në vitin 2003, Zaganjori është zgjedhur anëtar i Gjykatës Kushtetuese, detyrë të cilën e ka mbajtur për një dekadë. Në mars të vitit 2013 ai zgjidhet anëtar i Gjykatës së Lartë dhe një muaj më pas emërohet kryetar i kësaj gjykate.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.