Debate mes palëve politike PD-PS në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit dhe Ligjeve që po merr në shqyrtim nismën e PD për vetingun në politikë.
Deputeti i PS-së, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ka theksuar se deputetët kanë të drejtën e votës për amendim të Kushtetutës por jo të drejtën për ta shkelur atë. Në vijim të kërkesës së PD-së, nëse do ta bëjnë apo jo vetingun në politikë, ai ka thënë se do të kërkohet opinion i Komisionit të Venecias.
Debati
Ruci: Cfarë propozimi ke?
Alibeaj: Po më lër ore, ca ke siklet, pse ke siklet, ai ju ka thënë bëni c’është e mundur ta shtyni në kalendat greke dhe të fusni shkopinj në rrota.
Manja: Ne kemi të drejtën e votës, edhe për Kushtetutën, por në asnjë mënyrë nuk kemi monopol për të shkelur kushtetutën dhe rregulloren e kuvendit kur bëhet fjalë për nismë kushtetuese që kërkon amendim të Kushtetutës. Propozojmë si relatore, Vasilika Hysin. Kërkojmë opinion në komisionin e Venecias.
Alibeaj: Pse keni frikë, pse doni ta shtyni, pse keni frikë nga barazia e ligjit. 4 vite e rrahët si cështje vetingun e prokurorëve, angazhuat shoqërinë civile, publikun, ekspertë. Ca ka këtu për ekspertizë artificiale për Venecian? Keni kurajë politike për ta pranuar apo jo, do ta bëjmë apo jo. Kur Balla tha se e kam mik atë, nuk ju pyeti juve, ku Xhafaj mbaronte vëllanë, nuk ju pyeti juve, kur Cyrbja fliste në telefon me bandën e Shullazit nuk ju pyeti, për cfarë keni frikë ju?
PD: Si do behet vetingu ne politike
Partia Demokratike sqaron propozimin e saj per menyren se si do te behet vetingu ne politike, perballe deputeteve anetare te Keshillit te Legjislacionit dhe te Ligjeve, ne Kryesine e Kuvendit.
“Propozimi ynë është fare i thjeshtë: veting me të njejtin formulim ligjor si për prokurorët, gjykatësit dhe policët”- ka thene para deputeteve demokrati Ored Bylykbashi.
Sipas tij, “trajtim special per politikanet nuk mund te kete më! Ky shtet do mesojë ti trajtojë te gjithe njesoj: si policin e thjeshte, si ministrin e brendshem! Ky eshte parimi qe kemi ne kushtetute! Ky eshte parimi i Europes ku duam te bejme pjese!”.
Bylykbashi theksoi se ajo qe PD ka propozuar është amendimi i Kushtetutës për të sanksionuar vetingun politik.
“Pastaj duhet një ligj për të përcaktuar detajet si do realizohet vetingu. Me miratimin e amendimit kushtetues ne do i paraqesim Kuvendit propozimin tonë ligjor si do bëhet vetingu”.
Sipas tij, parimet kryesore si duhet të bëhet janë këto:
1. Do të jetë një proces krejtësisht i pavarur dhe i palidhur dhe i pandikuar nga vetingu i drejtësisë.
2. Do të jetë një model shumë më i thjeshtë dhe i qartë, afër modelit që u përdor për dekriminalizimin.
3. Do të kryhet nga një strukturë profesionistësh krejtësisht të pavarur nga politika.
4. Nuk mund të jetë kurrsesi një strukturë parlamentare dhe aq më pak një strukturë e përbërë nga përfaqësues partiakë: do ishte absurde dhe tallëse: politikanët do të jenë subjekt i vetingut dhe jo zbatues të vetingut.
5. Do të ketë mbikqyrje ndërkombëtare.




