Në 31 janar të këtij viti, Besnik Ymeraj u tërhoq nga anëtarët e gjykatës Kushtetuese. Arsyet sipas tij ishin personale dhe shëndetësore.
Por sot, Besnik Ymeraj është çuar për ndjekje penale.
Siç bëhet me dije, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, (shkalla e parë e vettingut) ka depozituar pranë Prokurorisë së Përgjithshme të gjithë dokumentacionin për Ymerajn.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, në bazë të nenit 281 të Kodit të Procedurës Penale, ka referuar pranë Zyrës së Prokurores së Përgjithshme të gjithë dokumentacionin që rezultoi nga hetimi administrativ gjatë procesit të rivlerësimit të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, zotit Besnik Imeraj”,- bën me dije Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Por kush është Besnik Imeraj:
Ky në fakt është një emër jo i panjohur për opinionin publik. Përveçse ka gjykuar dosjen e Lulzim Bashës për aferën me rrugën Durrës-Kukës në kohën kur ishte Ministër i Transporteve dhe atë të Ilir Metës, pas video-përgjimit të Dritan Priftit, zoti Imeraj ka qenë edhe “violina e parë” kundër procesit të Vettingut.
Ai ka qenë ndër të parët që ka “zvarritur” procesin e Vettingut duke kërkuar që ta shqyrtonte Komisioni i Venecias. Kujtojmë se kjo vetëm sa shtyu në kohë miratimin e reformës në drejtësi, pasi Komisioni i Venecias nuk bëri asnjë ndryshim në formulimin e saj.
Megjithëse një institucion i ri, siç duket Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të funksionojë sërish me emra të vjetër të drejtësisë shqiptare. Besnik Imeraj është prej vitit 1977 në organet e drejtësisë. Ai ka qenë gjyqtar në Apelin e Durrësit, e më pas anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pas tetë viteve në Gjykatën e Lartë, Imeraj u emërua në vitin 2013 në Gjykatën Kushtetuese.
AlpeNews.al





