Vettingu në polici do të nisë pavarësisht mungesës së opozitës. Pasi sipas deputetit socialist, Pjerin Ndreu, ky proces është vonuar për shkak të mungesës së pakicës në nënkomision. Ndërsa i ka bërë thirrje PD që të mbështesë policinë e shtetit dhe jo të bëjë politikë me situatën e krimit.
Pas ngërçit që është krijuar me ligjin për shkollën e magjistraturës, opozita ka braktisur edhe procesin e rivlerësimit të efektivëve të policisë, pasi ka kërkuar fillimisht që në sitën e vettingut të kalojë i pari Ministri i Brendshëm Xhafaj.
Mungesa e deputetëve të pakicës ka sjellë edhe vonesat në procesin e vettingut sipas socialistit Pjerin Ndreu.
Ndreu: Ka njëfarë ngecie por që nuk do të presim gjatë, do të fillojmë shumë shpejt.
Por pavarësisht se janë koshientë që ky proces do të kontestohet nga demokratët, anëtari i nënkomisionit parlamentar për mbikqyrjen e këtij procesi thotë se mazhoranca e ka kuorumin për të vijuar mbledhjet pa to.
Ndreu: Kemi kuorumin e nevojshëm, do të vazhdojmë. Nuk do të lëmë asnjë qelizë të kësaj shoqërie pa e kaluar në filtër.
Fillimisht 300 zyrtarë të lartë të policisë së shtetit do të kalojnë në sitën e Komisionit të Jashtëm, i cili përbëhet nga 5 inspektorë të ILDKPKI-së, 5 pedagogë të Universitetit të Tiranës, si dhe 5 anëtarë që janë zgjedhur me konkurim të hapur.
Ndërsa për vettingun në politikë, Pjerin Ndreu ka të njëjtën përgjigje si deputetët e tjerë të PS.
Ndreu: Ligj të legjitimosh politikën e thashethemeve se unë thashë, unë pashë… Unë jam deputet, shkoj në zonë dhe takoj këdo, nuk mund të më anatemosh mua sepse takova një që ka qenë në burg. Ne e kemi mekanizmin të mirëpërcaktuar tek SPAK dhe SPAK u jep përgjigje të gjithëve.
Deputeti socialist i ka bërë thirrje opozitës që të mos bëjë thashetheme me situatën e krimit në vend, pasi është i vetmi që nuk ka parti.
Ndreu: Jo çdo krim që ndodh duhet të jetë arsye për të reaguar. Në Shqipëri ndodh një çudi e madhe, bëhet opozitë me çdo krim që ndodh. Hall ta godasësh dhe hall mos ta godasësh. Në të dyja planet je i akuzuar publikisht. Nëse opozita ka të dhëna, të shkojë dhe ti bëjë prezent.
Ndërsa për masat disiplinore dhe transferimet e Prokurorëve të Krimeve të Rënda nga kryeprokurorja Arta Marka, deputeti e shikon si një çështje të brendshme dhe shprehet se politika nuk duhet të ndërhyjë.


