Naim Murseli është shndërruar në një prej emrave më të përfolur dhe të urryer kohëve të fundit për shkak të dyshimit se ka organizuar vrasjen e gruas së tij. Para tragjedisë që tronditi Kosovën, gjithçka ishte ndryshe. Murseli linte përshtypjen e njeriut të lumtur, me jetën e tij në rrethe që i preferonte – politikanë dhe VIP’a. Kjo zgjati deri të premten e kaluar kur Murseli ra në pranga për shkak të dyshimeve se organizoi vrasjen e gruas në prani të dy fëmijëve. Krahas krimit të rëndë, ajo që po diskutohet është edhe raporti me Behgjet Pacollin.
Gazeta Express shkruan se lidhja speciale e Murselit me “kosovarin më të pasur në botë” dëshmohet hapur në fotografitë që Murseli ka të publikuara në profilin e tij në facebook. “Poza” në aeroplan privat e pushime nëpër vendet ekzotike të botës janë ato që dominojnë profilin e Murselit.
Por, s’i kishte arritur Murseli që t’i afrohej Pacollit qysh në moshë të re?
Ai në një fotografi që e ka publikuar në profilin e tij, ka treguar se për herë të parë e kishte takuar Pacollin në vitin 2006 në qytetin e Gjakovës.
“Takimi im i parë me z. Behgjet Pacolli. Në vitin 2006, Gjakovë”, thuhet në përshkrimin që Murseli i ka vendosur fotografisë.
Murseli rrëfimin e afërsisë së tij me Pacollin e ka të ndërtuar mes fotografish të shumta në profil. Pas ngjarjes që ka tronditur Kosovën e Suedinë, një version të njohjes me Murselin e ka treguar edhe vetë biznesmeni.
Në një shkrim ku shprehte ngushëllime për familjen e Liridona Ademajt, Pacolli ka treguar se me 33 vjeçarin, tani të dyshuar për krimin makabër, njihej prej vitesh, meqë si djalë i ri i ishte afruar pas një sëmundjeje që kishte përjetuar.


