Një 25-vjeçar është arrestuar nga policia pasi në lokalin ku punonte në Kavajë, ushtronte aktivitetin e lojërave të fatit.
bastesportive
Në pranga është vendosur shtetasi me iniciale M.D. pasi vendoste baste sportive përmes telefonit.
Policia ka proceduar penalisht shtetasin me iniciale E.L. 31 vjeç, pronari i lokalit. Procedimi i tij ka ardhur për shkak se ai e kishte punësuar 25-vjeçarin në mënyrë të paligjshme.
Nga ana e uniformave blu nuk sqarohet nëse pronari ka pasur dijeni për aktivitetin e punonjësit të tij.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Final Game”.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Kavajë, për goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Arrestohet në flagrancë 25-vjeçari që ushtronte këtë veprimtari. Procedohet penalisht pronari i lokalit që kishte punësuar në mënyrë të paligjshme 25-vjeçarin.
Sekuestrohen dy aparate celulare që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Final Game”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– M. D., 25 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi E. L., 31 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Punësimi i paligjshëm”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shtetasit E. L., shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasn M. D., punonjës në lokal, duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit (lotarive sportive), me anë të aparatit celular.
Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar që shtetasi E. L. e kishte punësuar shtetasin M. D., në mënyrë të paligjshme.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy aparate celulare që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme.


