Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi që ish Kryeprokurori i Republikës Adriatik Llalla nuk do t’i nënshtrohet procesit të “Vettingut”.
“Me shumicë votash vendosi: Ndryshimin e vendimit, ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Adriatik Llallën. Ndalimin e emërimit të tij, gjyqtar, prokuror apo anëtar i KLD-së për një periudhë prej 15 vitesh”, thuhet në vendim.
Pas dy seancave të para, Kolegji ka dëgjuar komisionerin publik, Florian Ballhysa, i cili deklaroi se Llalla megjithëse ka lënë detyrën në dhjetorin e vitit të kaluar, nuk është larguar si magjistrat dhe si i tillë ai duhet të kalojë në filtrat e verifikimit të pasurisë dhe figurës.
Po kështu edhe përfaqësuesin ligjor Sokol Hazizaj i cili mbështeste formën se si Llalla kishte dërguar dorëheqjen dhe që e quante plotësishtë të drejtë dhe ligjore.
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla nuk mori pjesë në dy seancat e kaluara si dhe në seancën e sotme, ndërsa u përfaqësua nga avokati Sokol Hazizaj. Avokati tha në seancen e kaluar se klientit të tij i kishte mbaruar mandati i kryeprokurorit dhe shtoi faktin se nëse ai jep dorëheqje nga sistemi i drejtësisë, rivlerësimi ndërpritet.
Por Komisioneri Publik, Florian Ballhysa tha se Adriatik Llalla si magjistrat nuk ka ndjekur procedurën ligjore të dorëheqjes. Sipas tij, megjithëse Llalla ka lënë detyrën në dhjetorin e vitit të kaluar, ai nuk është larguar si magjistrat dhe si i tillë duhet të kalojë në filtrat e verifikimit të pasurisë dhe figurës.
“Llalla e gëzon ende statusin e magjistratit për shkak se është ish- kryeprokuror. Ai nuk e ka dhënë dorëheqjen në formën e kërkuar”- tha Ballhysa ne seancen e kaluar.
Kolegji i Posaçëm Apelimit mori në shqyrtim çështjen e dorëzuar nga Komisioneri Publik, ku u kërkua që ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla t’i nënshtrohet vettingut.
Procesi ndaj Adriatik Llallës u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas dorëheqjes së ish-kryeprokurorit nga e drejta për t’u emëruar gjyqtar apeli dhe rrjedhimisht nga i gjithë sistemi i drejtësisë.
Verdikti u mor në atë kohë nga trupi gjykues i KPK me kryesues Roland Ilia dhe anëtarët Pamela Qirko dhe Olsi Komçi. Por, ky është rezultat i njëjtë sikurse edhe ai i një trupe tjetër gjyqësore të KPK, e cila po për shkak të dorëheqjes si gjyqtar kushtetues i ndërpreu vettingun edhe Besnik Imerajt.


