Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen penale ndaj Eugert Sinos, i akuzuar për drejtimin dhe financimin e një veprimtarie të paligjshme të trafikut dhe mbajtjes së armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake.
Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se Sino, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka siguruar një arsenal të konsiderueshëm armësh dhe municionesh.
Në kuadër të hetimeve janë evidentuar 5 armë të gjata, përfshirë snajperë, 6 armë automatike, 12 pistoleta, 17 krehra shtesë, 4 tyta armësh dhe 7.820 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm. Sino është identifikuar si personi që dyshohet se kishte rolin e drejtuesit dhe financuesit të kësaj veprimtarie kriminale.
Ai akuzohet për disa vepra penale që lidhen me mbajtjen pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, si dhe me veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal.
“-Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
– Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve dhe municioneve luftarake, gjithashtu në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
– Krijim, organizim dhe drejtim të një grupi të strukturuar kriminal, sipas nenit 333/a të Kodit Penal”, janë akuzat që rëndojnë mbi të.
Paralelisht me dërgimin e dosjes ndaj Sinos për gjykim, SPAK ka vijuar hetimet për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 203 të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit:
1. Eugert Sino, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në automjete, në mjedise publike, si dhe në sasi të mëdha, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/1/2, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, të parashikuar nga nenet 278/3, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”
“Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal, në formën e drejtimit.
Nga tërësia e hetimeve të kryera ka rezultuar e provuar se i pandehuri Eugert Sino, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, kanë arritur të sigurojnë një sasi të konsiderueshme armësh zjarri; 5 armë të gjata/sniper, 6 armë automatike, 12 pistoleta, 17 krehër të tjera, 4 tyta armësh, si dhe sasinë prej 7820 copë fishekësh luftarakë të kalibrave të ndryshme. Sipas akt- ekspertimeve respektive ka rezultuar se armët e zjarrit dhe municionet luftarake janë në gjendje të rregullt teknike dhe mund realizojnë qitje.
Në përfundim të hetimeve është konkluduar se i pandehurit Eugert Sino, ka pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.
Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të të pandehurit kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal nr. 203 të vitit 2025, numërtimin e procedimit të ri penal, nr. 203/1 i vitit 2025, dhe vijimin e hetimeve për kryerjen e elementëve të veprave të mëposhtme penale:
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në automjete, në mjedise publike, si dhe në sasi të mëdha, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/1/2, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”;
“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, të parashikuar nga nenet 278/3, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe
“Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a i Kodit Penal.
Hetimet janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë kosovare, strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.


