Shqipëria do të krijojë për herë të parë një Institut Kombëtar të Tumoreve, të ndërtuar sipas modeleve më të mira europiane, me referencë Institutin Kombëtar të Tumoreve të Milanos. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, pas mbledhjes së Qeverisë.
Sipas saj, instituti do të funksionojë mbi tre shtylla kryesore: shërbimin klinik, mësimdhënien dhe kërkimin shkencor.
Fusha klinike do të përfshijë shërbimet e kirurgjisë onkologjike, kimioterapisë dhe radioterapisë, ndërsa në kuadër të institutit do të krijohet edhe një njësi e posaçme për studimet klinike, e para e këtij lloji në vend.
Ministrja theksoi se kjo do t’u japë pacientëve shqiptarë mundësinë të marrin pjesë në studime klinike ndërkombëtare, duke siguruar akses në trajtime dhe barna inovative.
“Shqipëria për herë të parë do të ketë një Institut Kombëtar të tomotreve, sipas modeleve europiane, kemi marrë si model Institutin kombëtar të tumoreve të Milanos. Do të ketë 3 fusha veprimi, fushën klinike, që përfshinë shërbimet e kirurgjisë së tumoreve, kimioterapisë dhe radioterapisë, fushën e mësimdhënies dhe fushën kërkimore shkencore, e para e këtij lloji në Shqipëri. Brenda kësaj fushe do të ngrihet njësia e studimeve klinike dhe kjo ka një rëndësi të veçantë sepse mundëson që pacientët shqiptarë të bëhen pjesë e studimeve klinike ndërkombëtare, akses në barna norvatore, në studime inovatore”, tha Sala.
Një tjetër përfitim, sipas saj, është se Instituti Kombëtar i Tumoreve do të bëhet pjesë e organizatës europiane të qendrave shkencore onkologjike, çka do t’i mundësojë Shqipërisë të përfitojë fonde europiane për kërkim, teknologji dhe zhvillimin e barnave të reja.
“Sjell një risi të dytë sepse duke qenë se instituti do të jetë pjesë e organizatës europiane të qendrave shkencore onkologjike, do të përfitojmë fonde europiane për inovacion si në barna dhe teknologji”, theksoi ajo.
Ministrja njoftoi gjithashtu ndryshime të rëndësishme në programin kombëtar të parandalimit. Me vendimin e ri hiqet kufiri maksimal i moshës për përfitimin e shërbimit falas të Check-Up. Ajo bëri të ditur gjithashtu se shërbimet e Check-Up dhe dializës do të kalojnë në administrimin e shtetit dhe do të ofrohen drejtpërdrejt nga institucionet publike.
“Dy vendimet e tjera, njëri prej tyre në fushën e parandalimit. Këto vendime sjellin 2 rusi, hiqet tavani moshor për shërbimin e Check-Up. Çdo qytetar nga mosha 35 vjeç e sipër i ofrohet falas. Për herë të parë, qytetarët mbi moshën 70 vjeç do t’i ofrohet nga shtatori shërbimi i Check-Up. Gjithashtu shërbimi i Check-Up dhe dializës merren në dorëzim dhe ofrohen nga shteti”, bëri me dije Ministrja.


