Me një fond prej 7.9 milionë lekësh, bashkitë e Fierit dhe të Patosit kanë nisur zbatimin e projektit për krijimin e hapësirave rekreative për fëmijët.
Vetëm në Patos, në sajë të këtij investimi parashikohet ndërtimi i 7 këndeve lojërash.
Në një intervistë për ATSH-në, kryetarja e bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj u shpreh se përmes këtij projekti synohet të investohet në ndërtimin e këndeve të lojërave, duke sjellë sa më pranë fëmijët me jetën aktive, sportive, argëtuese dhe qytetit të tyre gjithashtu.
Vitet e fundit kanë dëshmuar përmirësime të ndjeshme të situatës së fëmijëve dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre, e megjithatë, sipas Balilajt, “mbetet ende shumë për t’u bërë për të përmirësuar cilësinë e jetës së fëmijëve”.
Ndaj, sipas saj, është konsideruar si domosdoshmëri krijimi i sa më shumë ambienteve publike argëtuese për fëmijët, pasi e drejta për t’u argëtuar mbetet një nga të drejtat kryesore të fëmijëve.
“Mungesa e këndeve të lojërave dhe terreneve sportive publike është një problem që ndeshet pothuajse në të gjitha qytetet e vendit. Përmes këtij projekti synojmë të ndryshojmë disi situatën për fëmijët, duke krijuar ambiente argëtuese në natyrë lehtësisht të aksesueshme nga të gjitha grupmoshat”, – tha ajo.
Implementimi me sukses i këtij projekti, sipas Balilajt, “ka një rëndësi të veçantë pasi adreson një nga nevojat aktuale të familjeve”. “Duke krijuar këto oaze argëtuese në hapësira publike dhe lehtësisht të aksesueshme nga të gjithë, fëmijët do të kenë mundësi që të luajnë në ajër të pastër duke zhvilluar aftësitë e tyre sociale, mendore e argëtuese”, – theksoi ajo.
Këto kënde lojërash do të vendosen në vendet më të frekuentuara nga qytetarët, kryesisht fëmijët, duke ofruar mundësinë e socializimit për të gjitha moshat. Ato do të rigjallërojnë jetën e gjithë qytetit dhe do të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e jetës aktive dhe rritjen e mirëqenies.


