Prej 14 vitesh drejtësia greke ka lënë të lirë vrasësin e shqiptarit Luan Bërdëllima, në atë kohë vetëm 36 vjeç.
Vrasja e Bërdëllimës në 20 gusht të 2004 bëri shumë zhurmë në Shqipëri, porn ë Greqi nuk pati asnjë reagim. Në atë kohë 36-vjeçari nga Gramshi, i cili jetonte familjarisht në Athinë, u qëllua për vdekje nga një polic special. Në lokalin ku viktima shikonte ndeshjen hyri policia dhe duke i sharë dhe ofenduar kërkoi t’u bënte kontroll shqiptarëve.
36-vjeçari protestoi duke treguar dokumentet e rregullta dhe i kërkoi policit grek të mos e ofendonte. Por polici grek nxori pistoletën dhe e qëlloi me një plumb në kohë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Përveç qëndrimit të opinionit publik në Tiranë, në Greqi nuk pati asnjë reagim.
Motra e tij Dhurata Sulçe prej 14 vitesh lufton për të gjetur vrasësit e vëllait të saj në Greqi dhe betejën e saj të parë e fitoi në Gjykatën e Strasburgut.
Megjithëse familja e Luan Bërdëllimës nuk u informua asnjëherë nga pala greke se çfarë fati patën hetimet ndaj një polici të dyshuar për krimin, përmes monitoruesit grek të Helsinkit ata ngritën padi kundër shtetit grek dhe në vendimin e Strasburgut thuhet se secili nga të afërmit e Luan Bërdëllimës, një emigrant i rregullt në Greqi i vrarë në moshën 36-vjeçare, duhet të dëmshpërblehet nga shteti dhe përpos kësaj shteti grek duhet të ndërmarrë masa për përshtatjen e ligjit të brendshëm.
Dhurata ka thënë:
Duam që fajtori të gjykohet, mos të lihet i lirë si në këto 14 vitet e fundit. Të hapen sërish hetimet. Vëllai im u vra kot, ishte në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar aty.”
Gjykata e Strasburgut thotë se hetimet paraprake zgjatën mbi 4 vjet dhe gjatë viteve 2005-2006 nuk u ndërmor asnjë veprim hetimor, dhe se dëshmitarët, të cilët u larguan nga frika, nuk u pyetën.
I vetmi i dyshuar u mor në pyetje dy vjet pas vrasjes së emigrantit, por ndonëse çështja kishte të dhëna për një oficer policie, autoritetet nuk treguan zell për ta zbardhur, thotë Gjykata e Strasburgut.
Pas fitores në Strasburg, Sulçe shpreson edhe në ndihmën e autoriteteve shqiptare për rihapjen e dosjes:
Ministria e Jashtme shpresoj që të bëjë diçka tani sepse atëherë nuk bëri asgjë”.


