Dje në Letoni humbi jetën nga shpërthimi i një mine ushtarakja Zerife Hasanaj, ndërsa u plagosën komandat Klodian Tanushi dhe rreshteri Julian Kapajn. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta mëson se pas operacionit, Tanushi vijon që të jetë në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa Julian Kapaj ka plagë më të lehta. Zerife Hasanaj humbi jetën brenda një ore nga shpërthimi i minës, pas plagët ishin të rënda dhe nuk mund ti përballonte.
Ministrja e Mbrojtjes ndërpreu dje vizitën zyrtare në Itali ku do të takohej me kryeministrin, Juseppe Conte dhe homologen italiane Elisabetta Trenta. Ministrja Xhaçka pritet të mbërrijë në Letoni (Riga) rreth mesditës së sotme ku fillimisht do të vizitojë dy efektivët e plagosur e më pas do të udhëtojë për në bazën “Camp Adazi” për të takuar kontigjentin shqiptar atje. Ndërkohë, sot është zhvilluar në bazën ushtarake ceremonia e nderimit për nëntetaren Hasanaj.
Autoritetet letoneze deklarojnë se do t’u sigurojë shqiptarëve të gjithë mbështetjen që kanë nevojë, duke përfshirë transportimin e ushtarakes së vdekur dhe ushtarëve të dëmtuar. Klodian Tanushi dhe Julian Kapaj janë specialistë të asgjësimit të municioneve, ndërsa kanë qenë edhe më parë me misione jashtë vendit dhe janë vlerësuar me disa medalje për shërbimet. Shqiptarja.com sjell më poshtë gjitha të dhënat për komandantin dhe rreshterin që u plagosën.
Të dhëna për Major Klodian Tanushi
Major Klodian Tanushi lindur në Dibër më 31.10.1980, fëmija i pare i familjes Tanushi. I martuar dhe me tre fëmijë (dy djem dhe një vajzë) përkatësisht 14 vjeç, 11 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.
Në vitin 1999 ka përfunduar shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në profilin “Motorist xhenerik”. Nga viti 2000 deri në vitin 2003 ka ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake Skëndërbej.
Ka kryer kurse funksional EOD Niveli I-re “Për asgjesimin e municioneve me eksploziv”
Ka marrë pjesë ne kursin “EUFOR Mine Aëareness Instructor Course”.
Pas përfundimit të Akademisë është titulluar oficer dhe me urdhër nr.9628 datë 18.09.2003 ka marrë gradën e “Nëntogerit”. Në vitin 2006 ka marrë gradën e “Togerit”, në vitin 2010 ka marrë gradën e “Kapitenit” dhe në vitin 2017 ka marrë gradën e “Majorit”.
Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra si : Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni, Specialist Operacionesh. Aktualisht me detyrë Komandant i Togës së pare të EOD.
Në 20.12.2018 është dërguar me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontigjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor.
Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me Medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forces, Medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Medalje shërbimi në Mision jashtë vendi si dhe Medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga Ministri i Mbrojtjes.
Të dhëna për rreshter Julian Kapajn
Rreshter Julian Kapaj, i datëlindjes 05/08/1978, ka lindur në Qytetin e Tiranës me banim, Tiranë:
Gjendja familjare:
Është fëmija i parë i familjes Kapaj, i martuar, ka dy fëmijë dhe ka nje motër. Jeton me prindërit
Arsimimi:
Ka përfunduar Shkollën e mesme të përgjithshme “Qemal Stafa”, Tiranë në vitin 1997.
Kurse
Ka kryer kursin funksional per specialitetin AEM (Kursi Fillestar i Asgjesimit të Muncioneve)
Ka kryer kursin EOD Niveli i I-rë “Asgjesimi i Muncioneve me Eksplozivë”.
Gradimi dhe punësimi:
Është mobilizuar në FA më datë 16.10.2001 si ushtare si n/oficer me gradën n/tetar.
Gjatë karrerës në FA është dalluar në realizimin e detyrave dhe për disiplinë të lartë.
Rreshter Julian Kapaj shërben si operator EOD, në RU 4040.
Në 20 dhjetor 2018 është dërguar me mission në operacionin ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni, në përbërje të Grup-Batalionit Kanadez, me afat qëndrim 6 mujor, me detyrë Operator EOD.
Medalje :
Medalje Shërbimi më 05.12.2007.
Medalje për shërbime ndërkombëtare më 24.06.2009.


