Nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho, në një reagim nga selia blu, e quajti “varje mafioze” rastin e Shkëlzen Qordjes, shoferin e ministrit të Brendshëm Xhafaj.
“Edi Rama ka marrë publikisht rolin e kryeprokurorit, duke paracaktuar se vrasja mafioze ishte vetëvrasje me 3 plumba”, u shpreh ai, pas reagimit të kreut te qeverisë lidhur me këtë çështje.
Pas ngjarjes një ditë më parë, Policia, Prokuroria e Tiranës dhe SHÇBA, dolën në një deklaratë të përbashkët duke komunikuar se nga provat e hetimeve të deritanishme, 31-vjeçari ka vrarë vetën: Nga këqyrja rezultoi se në kokën e viktimës ka plagë tejshpuese të shkaktuar nga armë zjarri, me qitje me drejtim nga e djathta në të majtë. Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip “MP5”, e cila ishte në dorën e djathtë të viktimës, me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit, në pozicionin “qitje breshëri”. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima është vetëvrarë, me armën e shërbimit.
Deklarata e plotë e Spahos
Këto 5 vjet në pushtet Edi Rama ka mohuar çdo skandal që implikon atë dhe qeverinë e tij në krim!
Edi Rama quajti skenar fantazie edhe transportin e droges me avionë.
Ai tha se kriminelet në Parlament dhe bashki ishin skenarë makabër të opozitës.
Kanabizimin e vendit Edi Rama e quajti njësoj si sot, skenar fantazie makabër.
Përfshirjen e Saimir Tahirit me Audin e tij AA 003 GB në trafikun ndërkombëtar të drogës bashkë me Habilajt, Edi Rama e cilësoi skenar kriminal të opozitës.
Edi Rama mohoi për 5 vjet dënimin e Agron Xhafës, vëllait të Ministrit të Brendshëm, për trafik ndërkombëtar droge.
Tani, po mohon, me të njëjtat fjali, përfshirjen e Taulant Ballës, në pastrimin e parave të drogës me çështjen e 3.4 milionë eurove, të kapura në Toyota Yaris vetëm pasi u denoncuam nga opozita.
Mohimi i këtyre të vërtetave e la Shqipërinë jashtë Europës! Sepse më vend të së vërtetës dhe të Europës, Edi Rama zgjodhi Saimir Tahirin, Fatmir Xhafën, Taulant Ballën, bashkëqeverisjen me krimin dhe drogën, duke tradhëtuar interesat e shqiptarëve.
Me Edi Ramën kryeministër dyert e Europës do të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe Qershorin tjetër.
Edhe për faktin se, për të fshehur një vrasje mafioze, Edi Rama ka marrë publikisht rolin e kryeprokurorit, duke paracaktuar se vrasja mafioze ishte vetëvrasje me 3 plumba.


