Meteorologët parashikojnë që deri të premten, në Britaninë e Madhe të thyhet rekordi i deritanishëm i të nxehtit. Termometri llogaritet të shënojë 37 gradë celsius në jug, në lindje dhe në rajonet qendrore të vendit, por ekspertët thonë se nëse “të gjitha kushtet bëhen bashkë”, mund të kapërcehet rekordi i 38,5 gradëve, i vendosur në Kent, gushtin e vitit 2003.
Autoritetet ndërkohë janë duke paralajmëruar personat që po përfitojnë nga këto ditë të nxehta për të shijuar një kamping në ambiente të hapura apo dhe aktivitete të tjera jashtë në zona të thata, që të bëjnë kujdes se mund të nisin padashur zjarre.
Zëvendës/shefi i zjarrfikësve të Londrës, Tom George tha se pjesëtarëve të kësaj force u ka ardhur në majë të hundës “fakti që njerëzve u kërkohet me politesë të tregohen të kujdesshëm”, kur kjo duhet konsideruar një detyrim.
Në mbarë vendin, brigada të tjera po lëshojnë paralajmërime të ngjashme mbi rrezikun që mund të paraqesin cigaret, shishet e qelqit dhe zjarret e kampingjeve në vende ku mjedisi është i thatë.


