Kryeministri Edi Rama ka bërë një paralelizëm mes takimeve elektorale të kreut të PD Lulzim Basha në shkelje të masave anti COVID dhe të procesit të vaksinimit masiv që ka nisur prej 3 ditësh në të gjithë vendin për të vënë nën kontroll situatën e pandemisë.
Duke i ilustruar këto 2 situata me foto, Rama thotë se janë 2 botë të ndryshme, ku njëra lufton për të shpëtuar jetën e të gjithëve pa dallim, tjetra sipas tij “bën përsheshe me virus për politikë”.
“DY BOTË – Njëra lufton për të shpëtuar jetën e të gjithëve pa dallim, tjetra bën përsheshe me virus për politikë pa din e as iman…
Vazhdon vaksinimi masiv në gjithë Shqipërinë. Vazhdon paralelisht edhe infektimi masiv, për vete hipur mbi makinë, nën këmbë ta hajë kush ta hajë”, shkruan Rama.
Ndërsa thekson se vazhdon vaksinimi masiv në gjithë Shqipërinë, Rama shkruan se paralelisht vijon edhe infektimi masiv, duke iu referuar këtu takimeve të Bashës, të cilin dhe e ka ironizuar.




