Në kohën kur prokuroria po heton ende zyrtarë të IMT dhe IKMT për të zbuluar se përse u lejua të devijohej një leje ndërtimi duke shtuar edhe dy kate të tjera në pallatin e bllokuar pranë rrugës “ Llukë Kacaj”, gjykata i ka aprovuar akuzës tre masa arresti në burg ndaj tre ndërtuesve.
Masat siç u njoftua zyrtarisht u shpallën ndaj Mirsim Jellës, Ferdinand Shtëmbarit dhe Fiqiri Likës, ndërsa për Adriatik Shtëmbarit u vendos detyrim paraqitje. Prokuroria përmend edhe një raport të agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që ka pyetur inspektorët e policisë të komisariatit numër 4 që kanë këmbëngulur se nuk kishin asnjë informacion për tejkalim të lejes së së ndërtimit.
Çështja u hetua nga prokurorja Elsa Kareçi që përmend se ndërtimi kishte nisur prej vitesh dhe nuk ka patur asnjë reagim pavarësisht kohëzgjatje së punimeve në shkelje të lejes dhe vazhdimisht të dukshme në terren. Siç shpjegohet në aktet e prokurorisë gjatë kërkimit për masat e sigurisë, rezulton të jenë marrë masa administrative nga strukturat përgjegjëse.
Leja sipas prokurorisë ishte marrë për ndërtimin e pallatit 9 katësh dhe dy nëntokë, e megjithatë aty u ndërtuan edhe dy kate të tjerë .Si prova renditen kontratat, pohimet e dëshmitarëve dhe pagesat, ndërsa të dyshuarit mbajnë qëndrim mohues


