Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka përfunduar dëshminë e tij në GJKKO lidhur me inceneratorin e Fierit.
Koka deklarohet i pafajshëm ndaj akuzave të ngritura ndërsa kërkon drejtësi, teksa shprehet se ai do të jetë viktima e rradhës.
“Pagesat dhe ndërtimi Inceneratorit kanë filluar në 2018 unë jam larguar si Ministër më 2017. Shpronësimi i tokës është njohur i ligjshëm me Vendim të Formës së Prerë të Gjykatës Administrative Statusi i është ndryshuar nga Këshilli Bashkiak Fier para se vendimi të vinte në Këshillin e Ministrave.
Gjykohem dy herë për të njejtën gjë. Akuza është thjeshtë kopje e proçesit analog të Elbasanit. Relacioni administratorit të caktuar nga gjykata provon pafajsinë time. Akuza bazohet në mendime personale të fallxhores, jo në prova. Kriter themelor i proçesit penal. Të besosh tek çifti famëkeq është njësoj si të investosh tek Sudja dhe Rrapushi në ditët e fundit të falimentit.
Kjo çështje kërkon drejtësi! Drejtësia është vetëm një e pa ndikuar në interesa, e pa ndikuar nga akuza e pa ndikuar nga opinioni. Përndryshe unë do të jem viktima e rradhës e kjo padrejtësi mund të bjerë mbi këdo. Kjo strukturë nuk është kala ku ju të bërë bashkë duhet ta mbroni por është kala e çdo Shqipëtari për të marrë Drejtësi.
Nuk do të rresht së kërkuari deri në frymën e fundit, jo vetëm në këtë gjykatë të provojë pafajësinë time. Me prova e fakte të provoj fajësinë e atyre që më hoqën lirinë në mënyrë brutale duke më arrestuar e më pas duke sajuar prova të turpshme.
Meqënese nuk u provua asnjë shumë e përfituar, asnjë llogari bankare, asnjë aset i shtuar që nga viti 2010, prokurorët menduan të më akuzojnë për pastrim dhe të sekuestrojnë prona të përftuara që në vitin 2000.


