Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara po vizitojnë sot Uashingtonin për një drekë pune me Presidentin amerikan Donald Trump, si dhe për të parë pjesë që dyshohen t’i përkasin raketave iraniane.
Anëtarët e Këshillit do të kenë mundësinë të shohin pjesë të mëdha mbetjesh të raketave me rreze të shkurtër veprimi, të cilat i prezantoi në muajin dhjetor ambasadorja Nikki Haley gjatë një conference për shtyp në një bazë ushtarake në Uashington. Zonja Haley tha se ato ishin prova “të pamohueshme” se Irani po armatoste ilegalisht rebelët Houthi në Jemen.
Uashingtoni kërkon që Irani të mbahet përgjegjës nga Kombet e Bashkuara për shkelje të një embargoje ndërkombëtare të armëve ndaj rebelëve të Jemenit.
Kjo është pjesë e një strategjie më të madhe të administratës Trump për t’i qëndruar marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, por duke u përpjekur që qëndrimet e tjera negative në rajon të Teheranit t’i sjellin atij pasoja, siç është mbështetja për grupe si Houthi në Jemen dhe Hezbollahu në Liban.
Në muajin dhjetor zonja Haley akuzoi Teheranin se po fshihet pas marrëveshjes bërthamore.
Presidenti Trump i ka ftuar anëtarët e Këshillit të Sigurimit për një drekë pune sikurse bëri një vit më parë.


