Shtatë burra janë shpallur fajtor për një sulm “frikacak” në veri të Londrës, në të cilin një burrë shqiptar u godit me thikë dhe vëllai i tij pësoi lëndime në tru.
Edmond Jonuzi, 35 vjeç, i njohur edhe si Edmond Preçi, u vra në sulmin pranë stacionit Turnpike Lane më 9 qershor 2018, shkruan BBC.
Vëllai i tij, Erald Preçi, mbeti me kafkë të thyer.
Bilal Mumin, 20 vjeç, u gjet fajtor për vrasjen të martën, ndërsa gjashtë burrat u shpallën fajtor për përfshirje në vrasje dhe trazira të dhunshme.
Policia tha se të pandehurit kishin kaluar ditën duke konsumuar pije alkoolike dhe duke u angazhuar në sjellje anti shoqërore.
Të gjithë të rinjtë e njihnin njëri-tjetrin dhe të gjithë ishin përfshirë në çështje droge, ndërsa mendonin se “zotëronin” zonën.
Dy vëllezërit, u kërcënuan nga grupi kur ata u larguan nga darka me kushërinjtë e tyre.
Shpejt filloi një grindje që u përshkallëzua në një “sulm jo proporcional të njëanshëm”.
Jonuzi pësoi 19 lëndime të veçanta në trupin e tij, duke përfshirë një plagë në zemër.
Nëna e vëllezërve, Dava Preçi, e cila nuk ishte në gjendje të udhëtojë nga Shqipëria për të marrë pjesë në gjyq, tha në një deklaratë: “Më 9 qershor bota ime u ndryshua përgjithmonë, duke më lënë kështu të thyer dhe të zbrazët brenda meje. Më ka mbetur të imagjinoj imazhet e dhunës dhe dhimbjes që djemtë e mi kaluan. Nuk mund të fle në paqe”, citon BBC gruan.
Inspektori i policisë Garry Moncrieff tha: “Edmondi dhe vëllai i tij u hutuan gjatë grindjeve nga një grup i madh njerëzish me një sulm frikacak dhe të tmerrshëm”.
Dita e dënimit përfundimtar nuk është caktuar ende.




