Armando Baboçi, 39-vjeçarit që ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme pas një sherri në Durrës, është dërguar për në banesën e fundit. Varrimi po bëhet në vendlindjen e tij në Laç.
“Pse më sheh” ka qenë ky motivi i sherrit masiv në qytetin e Durrësit mbrëmjen e djeshme i cili përfundoi me një viktimë dhe 2 të plagosur. Kaq ka mjaftuar që një grup prej 5 personash të konfliktohen fizikisht me sende të forta dhe më pas me armë, duke vrarë 39-vjeçarin Armando Baboçi (Gjini) dhe duke lënë të plagosur djalin e tij, Erald Gjini 19-vjeç.
Të arrestuar për këtë ngjarje janë Klodian Daci, 20 vjeç, Henri Tatasi, 23 vjeç dhe Sergio Tatasi, 20 vjeç, banues në Durrës. Ka qenë Klodjan Daci i cili ka qëlluar me armë babë e bir, Armando Baboçi (mban mbiemrin e gruas) dhe Erald Gjini. 39-vjeçari mori plumb në bark, e për pasojë humbi jetën ndërsa djali ka marrë plagë në duar, jashtë rrezikut. Ndërkohë, te spitali i Traumës në Tiranë ndodhet një tjetër i plagosur. Bëhet fjalë për 23-vjeçarin me inicialet H.T., kushëri me të arrestuarit, gjendja shëndetësore e të cilit nuk dihet ende.