Pak pas ngjarjes së rëndë të ndodhur sot rreth orës 16:30 në lagjen nr.4 të qytetit të Korçës, mësohen disa prej shkaqeve që mund të kenë shtyrë 56-vjeçarin A.D t’i jepte fund jetës, por edhe detaje të trishta që e shtynë drejt vetëflijimit.
Gazetarja Iris Rezhda ka siguruar për “BalkanWeb” fotot e banesës së tij, një vilë trekatëshe, aty ku burri i dëshpëruar e në depresion vendosi të mbyllë përfundimisht jetën. Ai ka hipur në papafingon e banesës dhe pikërisht aty e kanë gjetur të varur forcat e policisë.
Por, siç mëson “BalkanWeb”, gjendja e tij ishte rënduar pasi as djemtë emigrantë në Greqi nuk kishin ardhur për festën e Krishtlindjeve. Në vetmi të thellë, burri nga Korça ishte ndjerë i lënë vetëm dhe ka zgjedhur këtë fund.
“BalkanWeb” mëson gjithashtu se ai nuk kishte probleme ekonomike, pasi djemtë emigrantë i siguronin të ardhura, por me sa duket vetmia në këtë rast ka qenë më e keqe se skamja.
Informacion paraprak
Më datë 25.12.2017, jemi njoftuar se në lagjen nr 4, në banesën e tij, është gjetur i vetëvarur shtetasi A.D, 56 vjeç.
Nga kqyrja e jashtme e trupit të viktimës, nuk janë konstatuar shenja dhune.
Trupi i pajetë i A.D, është dërguar në morgun e Spitalit për të kryer procedurat e mëtejshme.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.