Të enjten e 24 shtatorit në Elbasan ndodhi një ngjarje e denjë për filmat aksion. Një 71-vjeçar, Lefter Zhidru, u bë kryefjala e Shqipërisë për pesë orë, pasi shkëmbeu zjarr me policinë pas një sherri në familje.
Ish-bashkëshortja e 71-vjeçarit, Floresha Zhidru, njoftoi Policinë pas zënkës me Lefterin. Uniformat blu shkuan në vendngjarje për të parandaluar më të keqen, por i moshuari hapi zjarr drejt tyre.
Policia më pas nisi negociatat për dorëzimin e Lefterit, por ky i fundit nuk pranoi.
Forcat RENEA ekzekutuan Lefterin rreth orës 18:10, pas më shumë se 5 orë negociatash. Ata shpërthyen derën dhe u përballën me një breshëri plumbash nga i moshuari. Uniformat blu reaguan duke ekzekutuar Lefterin.
Policia shmangu një tragjedi të vërtetë, pasi i moshuar kishte një arsenal të vërtetë armësh në shtëpinë e tij. Zhidru mësohet se ka qenë ish-polic, ky mund të jetë edhe një shpjegim përse rezistoi kaq gjatë ndaj rrethimit
Ai plagosi dy kalimtarë rasti nga të shtënat, Adenour Dilaver Konaxhiu 21 vjeç dhe Ledio Soraci 22 vjeç, të cilët fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Ditën e sotme ishte në një lidhje telefonike me emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, njëri prej të plagosurve, Ledio Soraci .
Ai tregoi se ishin katër shokë që po ktheheshin në shtëpi. “Në një moment u ndaluam për të ngrënë diçka aty pranë. Dëgjuam një shpërthim, dy shokët ikën nga një anë tjetër dhe unë e Adenour nga një anë tjetër. Nuk e dimë sa larg ishim, por ishim afër. Nuk e dinim çfarë po ndodhte. Gjatë shpërthimit kemi dëgjuar edhe të shtëna. Kur po ecja kuptova se po më rridhte gjak nga këmba, ashtu edhe shokut tim. Vendosëm që të iknim në spital”, tha Ledio.
I riu u shpreh se nuk pati dhimbje, por më shumë u trondit nga shpërthim. “Shkuam vetë në spital së bashku me shokun. Mjekët panë që nuk kemi diçka shumë serioze. Vetëm nga gjendja psikologjike u tronditëm”, përfundoi 22-vjeçari.