Gjykata ka lënë në burg prokurorin e Kukësit, Edmond Karriqi, i cili u arrestua pasi akuzohet si i përfshirë në korrupsion.
Drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit ka përfunduar në prangat e Policisë nën akuzën e korrupsionit tre dite me parë. Prokurori Edmond Karriqi, u arrestua në qytetin e Kavajës ku ndodhej përkohësisht.
Bashkë me të, perfunduan në pranga edhe tre persona të tjerë, midis të cilëve edhe shoferi, Isuf Gega, i cili dyshohet se luante rolin e sekserit.
Në pranga përfunduan edhe dy persona të tjerë me iniciale, D.D dhe E.B., për të cilët SPAK-u nuk jep detaje për identitetin dhe për rolin e tyre.
Karriqi kishte shkuar në Kavajë për të marrë paratë nga personi me të cilin kishte bërë marrëveshjen. Fillimisht paratë i janë dhënë në dollarë, por prokurori nuk i ka pranuar, kështu që sekseri i ka kthyer ato në Euro në një pikë këmbimi valuator dhe më pas ia ka dhënë Karriqit.
Teksa kryhej gjithë kjo procedurë, Karriqi dhe sekseri i tij përgjoheshin, dhe në momentin që po bëhej dorëzimi i parave, policia mbërriti në bulevardin kryesor të qytetit të Kavajës dhe kreu arrestimin.


