Një shtetas shqiptar që vuante dënimin në burgun e Brindisit ka tentuar t’i shpëtojë drejtësisë duke u arratisur nga institucioni i vuajtjes së dënimit, por liria e tij zgjati vetëm pak orë.
Sipas raportimeve të mediave italiane, i riu arriti të largohej nga burgu duke kapërcyer disa pengesa sigurie. Ai dyshohet se kaloi gardhin e brendshëm, u ngjit në murin rrethues dhe më pas arriti të largohej nga ambientet e institucionit pa u ndaluar.
Sindikatat e policisë penitenciare kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi kushtet e sigurisë në burg, duke theksuar se arratisja mund të jetë favorizuar nga mungesa e theksuar e personelit. Sipas SAPPE, oficeri që ndodhej në shërbim në momentin e ngjarjes ishte i detyruar të mbulonte disa sektorë njëkohësisht, përfshirë edhe zona me të burgosur që kërkojnë mbikëqyrje të vazhdueshme.
Prej kohësh, sindikata kishte sinjalizuar problemet me stafin në burgun e Brindisit. Sipas saj, rreth 120 efektivë duhet të përballojnë menaxhimin dhe mbikëqyrjen e afro 270 të burgosurve, një numër dukshëm më i lartë nga kapaciteti normal i strukturës.
Menjëherë pas arratisjes, autoritetet italiane organizuan një operacion të gjerë kërkimi në zonë. Hetuesit u fokusuan veçanërisht në territorin mes Latianos dhe Mesagnes, ku shqiptari kishte jetuar përpara arrestimit të tij.
I riu ishte ndaluar disa muaj më parë në zbatim të një urdhër-arresti dhe po vuante dënim për vepra penale që lidhen me trafikun e lëndëve narkotike dhe kundërshtimin e forcave të rendit gjatë arrestimit.
Pas disa orësh kërkime intensive, policia arriti ta lokalizonte dhe ta prangoste sërish. Ai u gjet pranë zonës ku banon e dashura e tij, vend ku dyshohet se kishte kërkuar strehim pas largimit nga burgu.
Pas rikapjes, shqiptari është rikthyer nën masa të rrepta sigurie, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat që bënë të mundur arratisjen nga burgu i Brindisit.


