U duk si një aksident rrugor i një makine të blinduar me targa ruse me vlerë që mund të arrijë deri në 250 mijë euro, por pas tij mund të fshihet një atentat i mbetur në tentativë. 34-vjeçari Eldin Dergjini, nga Shkodra, banues në Tiranë, mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00 teksa udhëtonte me automjet në afërsi të sheshit “Shqiponja”, doli nga rruga duke u përmbysur. Eldin Dergjini rezulton të jetë vëllai i deputetes së LSI-së, Amra Borova, por ka ndërruar mbiemrin për shkak të precedentëve të mëparshëm.
Eldin Dergjini ka deklaruar se dikush e ka ndjekur nga mbrama me automjet dhe i ka goditur makinën çka solli edhe daljen nga rruga. “Kam qenë duke ecur me makinë me shpejtësi. Vura re që kisha një automjet pas, por nuk e di nëse po më ndiqte. Ajo makinë më goditi nga pas. Humba kontrollin dhe u përplasa me një bordurë dhe makina ime u batua në rrugë. Nuk e pashë mjetin që më goditi “, mësohet të jetë shprehur Dergjini, raporton gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra. Aktualisht 34-vjeçari ndodhet në spital, jashtë çdo rreziku për jetën me dëmtime të lehta.
Por përse lindin dyshimet për atentat? Në hetim edhe policë, makina nuk u regjistrua në doganë
Eldin Dergjini udhëtonte me një makinë të blinduar me targa ruse, një automjet tip ‘Mercedes Benz G Class’ me targë H001CH 199, vlera e të cilit shkon diku mes shifrave 150-250 mijë eurosh. Që këtu lindin dyshimet e para se ai i ruhej një atentati, për shkak se makina ishte e blinduar. Pas aksidentimit, i riu ka ikur nga vendi i ngjarjes, dhe burime për Report Tv thonë se ka shkuar vetë në një spital privat.
“Pas aksidentit nuk kisha shumë plagë në trup, jam larguar në këmbë për pak metra dhe pastaj mora taksi dhe erdha në spital. Makinën e kam marrë nga jashtë, ka pak kohë që e kamë marrë dhe prisja të bëja dokumentet” ka thënë ndër të tjera Eldin Dergjini”, mësohet t ëjetë shprehur 34-vjeçari.
Por dëshmia e tij nuk ka qenë shumë bindëse për policinë pasi ende nuk është zbuluar se kush ishte taksisti që e dërgoi në spital, por as makina që e ka goditur nga pas. Burime zyrtare konfirmojnë se targa nuk rezulton e regjistruar në sistemin doganor duke hedhur poshtë pretendimin e tij se ishte në pritje të bërjes së dokumenteve, duke përforcuar kështu dyshimet se mjeti është i trafikuar, ndërsa targa mendohet të jetë e falsifikuar. Në hetim janë përfshirë edhe efektivë të trafiqeve të paligjshme. Dyshimet janë se 34-vjeçari nuk ka qene i vetëm me makinë por me një tjetër person. Edhe nga ekspertiza paraprake ka rezultuar se makina e blinduar është goditur nga një tjetër automjet nga pas duke ngritur dyshimet e një atentati të mundshëm ndaj personave që lëviznin me blindin me targa ruse.
Precedentët, si i shpëtoi drejtësisë?
Eldin Dergjini rezulton të jetë me precedente të mëparshme penale. Në vitin 2014 është arrestuar në Tiranë dhe më pas gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”.
Por jo më larg se gushtin e kësaj vere Dergjini është arrestuar në Himarë për shkak se ishte kapur me armë mbajtje pa leje. Por edhe në këtë rast ai është lënë i lirë në rrethana të dyshimta.
Nuk mbaron me kaq, Dergjini rezulton i dënuar më para një viti në Trieste të Italisë për trafik droge. Policia dyshon se Eldin Dergjini i ka shpëtuar një atentati gjatë aksidentit ditën e djeshme. Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën e aksidentit, për të verifikuar nëse realisht ka një makinë e cila e goditur të riun. Nga kontrolli i automjetit nuk është gjetur send i jashtëligjshëm.