Një 23-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar në Bergamo, pasi në banesën e tij policia zbuloi rreth 15 kilogramë hashash dhe marijuanë. Arrestimi u krye më 10 nëntor nga Policia e Shtetit në Bergamo, në përfundim të një operacioni antidrogë të zhvilluar nga hetuesit e Seksionit të Policisë Kriminale (Squadra Mobile).
Gjatë kontrollit në banesën që përdorej për ruajtjen e lëndëve narkotike, efektivët zbuluan një frigorifer dhe disa çanta termike të përshtatura për konservimin e drogës. Sipas policisë, ky sistem ishte krijuar për të kufizuar përhapjen e erës dhe për ta bërë më të vështirë zbulimin e lëndëve narkotike.
Llojet e ndryshme të hashashit ishin ndarë sipas kategorive, vendosur në kavanoza të mbyllur hermetikisht dhe të pajisur me etiketa identifikuese. Kavanozat ishin sistemuar me rregull brenda frigoriferit, duke krijuar pamjen e një banaku frigoriferik në një supermarket.
Përveç drogës, në banesë u gjetën edhe disa vaporizatorë, pajisje që përdoren për konsumimin e ekstrakteve të substancave narkotike përmes cigareve elektronike. Policia sekuestroi gjithashtu mbi 10 mijë euro para, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i shitjes së drogës.


