Në këtë video tregohen momentet e para pasi Xhafer Mata ka qëlluar dy herë dhe ka lënë të vdekur në vend ish të dashurën e tij, Xhuljeta Çuni. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotshëm rreth orës 08:20 në zonën e “Don Boskos” në Tiranë.
Në pamjet e siguruara nga Tv Klan, shihet se si 31 – vjeçari nga Kukësi, me profesion inxhinier, që mban veshur një bluzë të kuqe, lëshon pistoletën në trotuar, pasi e ka qëlluar dy herë të renë, e cila gjendet e shtrirë në trotuarin e rrugës “Eshref Frashëri”, pak metra larg tij.
Disa sekonda më pas ai rrethohet nga policia, në anën tjetër të rrugës.
Thirrjeve për t’u dorëzuar iu përgjigj duke qëlluar veten me një plumb në kokë.
U dërgua në spital, por disa minuta më vonë ndërroi jetë.
Disa dëshmitarë thanë se Xhafer Mata ia preu rrugën Xhuljeta Çunit dhe më pas debatoi me të.
Debati mësohet se kishte lindur nga fakti ata ishin ndarë prej pak muajsh.
Ai dyshohet t’i ketë thënë:
Më ndave nga familja, më ndave nga fëmija. Më ndave nga njerëzit e mi, më shkatërrove jetën. Pse ma bëre këtë”?
Ai ka pritur një përgjigje prej saj, e pak momente më pas e qëlloi dy herë.
Të shtënat u dëgjuan në lokalet përreth, ndërsa shumë njerëz që ndodheshin aty mbetën të tronditur dhe nisën të largoheshin.
Një grua i është drejtuar duke e pyetur se përse vrau, ndërsa Xhafer Mata është përgjigjur i qetë:
Mirë ia bëra që e vrava”.
Dëshmitarë të ndryshëm i thanë policisë se autori i krimit e kishte gjurmuar për disa ditë rresht ish- të dashurën e tij.


