Lulzim Pepaj, Fatjon Marku dhe Anton Kola të arrestuar si pjesë e grupit kriminal “Pepa” kanë dalë para Gjykatës së Posaçme, për verifikimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’. SPAK thotë se vetëm në 2020-n grupi arriti të fuste në Evropë 7.5 tonë kokainë.
Seanca po zhvillohet nën drejtimin e gjyqtares Alma Kodraliu, e cila më herët ka firmosur masat e sigurisë në dhomë këshillimi për të dyshuarit.
Paralelisht me arrestimet, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestuar 232 pasuri me vlerë 12 milionë euro që lidhen me Jetmir Pepën, i shpallur në kërkim si drejtues i grupit. Në kërkim janë shpallur edhe 7 të tjerë, disa prej cilëve SPAK thotë se nuk ndodhen në territorin shqiptar.Grupi u godit në një operacion të zhvilluar të mërkurën, ku në total u firmosën 11 urdhër-arreste. Hetimin Prokuroria e Posaçme e kreu në bashkëpunim me ndërkombëtarë (Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese në Francë, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar), ndërsa SPAK thotë se ka dokumentuar 8 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha nga Amerika Latine në vendet evropiane, kryesisht në Holandë.
Ndër ngarkesat më të rëndësishme, ajo e 7-8 Prill 2020 kur nga Peruja në drejtim të Roterdamit u trafikuan 1,018 kg kokainë (me vlerë 1.3 milionë euro); 2020 kg kokainë e trafikuar 6 qershorin 2020 nga Ekuadori drejt Holandës, apo edhe episodi 500 kg të tjera të trafikimit nga Kolumbia dhe një sasi të madhe prej 1600 kg kokainë gushtin e 2020-s.


