“Tour of the Day” për ditën e sotme, redaksia e ALPENews.al ka përzgjedhur qytetin e bukur, liqenor të Pogradecit.
Nëse akoma nuk keni udhëtuar drejt “vendlindjes” së koranit atëherë duhet ta bëni menjëherë. Rruga është tërësisht e asfaltuar, gjatë udhëtimit mund të gjeni edhe atraksione të tjera turistike të cilat mund të ndaloni dhe t’i shijoni për disa minuta, ashtu sikurse edhe me të mbërritur në Pogradec, ju keni shumë afër edhe fshatin e “teto Ollgës”, atë të Tushemishtit.
Ky i fundit është le të themi si një “Venecie” e vogël shqiptare. Me ajër të pastër, qiell të kthjellët, dhe mot gjithnjë të bukur, Tushemishti bën të mundur që të quhet një atraksion i mirëfilltë turistik.
Por ja si e shpjegon një qytetar nga ata “puro” të Pogradecit dashurinë e tij për qytetin ku ka lindur.
Sa herë kujton Pogradecin gjithkujt i vjen ndërmend qyteti i bukur buzë liqenit, ku natyra ka krijuar një nga “perlat” e saj. Ky është vendi ku bluja e përhershme e pasqyrës së ujit, e kuqja e ndezur e lindjes së diellit, gjelbërimi gjithëvjetor dhe njerëzit e dashur e punëtorë, të presin buzagaz për të kaluar disa ditë pushimi.Jo më kot, këtij vendi të magjishëm i kanë shkruar dikur Lasgushi dhe Kuteli, i kanë dhënë ngjyra dhe penelata Zengo e Taso, e ka fiksuar në celuloid Misto Cici dhe Fezollari, për ta përjetësuar nga shumë artistë të tjerë, në kujtesën e brezave këtë perlë të Shqipërisë.Dhe është e çuditshme por mëse e vërtetë se, çdokush që ka qenë njëherë në Pogradec, nuk i shpëton dot ngasjes për tu rikthyer aty. Madje ka nga ata që janë vendosur përgjithmonë këtu, duke blerë shtëpi apo ndërtuar ndonjë vilë pushimi. Kjo është magjia e këtij qyteti me zemër të madhe që i mirëpret në gjirin e tij të gjithë, qofshin shqiptarë apo të huaj.
Ky material është përgatitur nga redaksia e ALPENews.al, për “Summer 2018”.



