Tani që të dyja palët, në mazhorancë dhe në opozitën politike në Shqipëri e firmosën marrëveshjen për reformën e re zgjedhore, është koha për një bilanc të shkurtër. Berisha, Meta, Basha e Kryemadhi thanë se i dogjën mandatet e deputetëve janarin e 2019, dolën nga Parlamenti, bojkotuan dhe çdekretuan zgjedhjet e 30 Qershorit, sepse iu bindën urdhërit hyjnor të sovranit, për një luftë pa kompromis ndaj PS dhe Edi Ramës për votën e lirë, në emër të stabilitetit dhe integrimit të Shqipërisë në BE.
Por si gjithmonë, kur flitet në emër të popullit në demokraci dhe pluralizëm, prapa saj është lehtësisht e kuptueshme që të fshihen qëllime krejt të tjera individuale.
Fakti se liderët e opozitës pranuan që ta firmosnin marrëveshjen për ligjin e ri zgjedhor, pasi dështuan në mënyrë spektakolare për ta bllokuar reformën në drejtësi, kuptohet fare lehtë se ku fshihej lepuri i madh i frikës së tyre. E për të ardhur deri tek marrëveshja e firmosur në tryezën e Këshillit Politik, atyre i është dashur të premtojnë gjëra aq të gënjeshtërta, sa është dita që duhen rikthyer në vëmendjen e opoinionit publik, për të mos u harruar!
1.– Lulzim Basha premtoi ndryshimin e sistemit zgjedhor. E ka bërë këtë përpara gjithë qytetarëve shqiptarë. Përpara anëtarëve, mbështetësve, votuesve dhe përkrahësve të opozitës. E ka bërë përpara partnerëve të koalicionit opozitar. E ka bërë përpara të gjitha mediave. E ka firmosur këtë premtim me dorën e tij në një marrëveshje të përbashkët me “Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit” këtu e 10 muaj më parë. (LINKU)
E ka bërë edhe përpara 50 mijë qytetarëve që mblodhën firmat për këtë qëllim.
Përfundimi? Sistemi zgjedhor në Shqipëri nga një kauzë e Lulzim Bashës dhe opozitës së tij, u shndërrua thjeshtë në një gënjeshtër të madhe të radhës nga ana e tij. Sepse sistemi jo vetëm nuk u ndryshua, por për të përfaqësuesit e “Opozitës së Bashkuar” në tryezën e Këshillit Politik as që u kujtuan ta shtronin ndonjëherë. Dihej që në fillim se Basha nuk ishte i sinqertë për këtë temë. I duhej vetëm sa për të dalë në televizor e për të bërë premtime siç di ti bëjë veç ai në politikën shqiptare.
Pse? Sepse vetëm ky sistem aktual zgjedhor, i mundëson Lulzim Bashës që të ketë kontrollin e plotë mbi PD. Pasi ai i mundëson atij si Kryetar partie që të hartojë listën e kandidatëve për deputetë. Për rrjedhojë përmes saj, ai kontrollon jo vetëm grupin parlamentar, por edhe strukturat e tjera drejtuese të PD dhe të gjitha vendimarrjet që burojnë prej tyre.
2.- Lulzim Basha e caktoi Qeverinë Tranzitore si kushtin e tij të panegociueshëm. Pra, ikjen e Edi Ramës, mosfutjen e Shqipërisë në zgjedhje me Kryetarin e PS si Kryeministër, sepse 100 ditë përpara së dielës së votimit, vendi do të duhej të kishte një qeveri teknike. (LINKU).
Por as ky premtim, as ky kusht i panegociueshëm dhe as kjo ëndërr fantapolitike nuk iu bë dot realitet Luli Bashës. Për një arsye fare të thjeshtë. Sepse ashtu si edhe premtimi i parë për ndryshimin e sistemit zgjedhor, edhe ky për qeverinë tranzitore ishte një kauzë “fake”. Ishte thjeshtë një gënjeshtër e pastër.
Sepse qeveria e Kryeministrit Edi Rama është një qeveri legjitime, e dalë nga vullneti i lirë i shprehur me votë nga shqiptarët, në zgjedhjet e 2017. Procesi është i gjithëpranuar nga anëtarët e PD në KQZ që e votuan dhe firmosën 100% rezultatin, nga opozita vetë që nuk bëri asnjë ankesë në Kolegjin Zgjedhor, nga OSBE/ ODIHR dhe nga i gjithë faktori ndërkombëtar që e pranoi dhe përshëndeti fitoren e PS.
Të gjithë opozitarët kanë një të drejtë që janë të pakënaqur me marrëveshjen, duke shprehur zhgënjimin se Edi Rama dhe PS nuk u dhanë atë që u ishte premtuar. Por, ata problemin nuk e kanë me mazhorancën por me liderin e tyre, që nuk ka guximin të dalë e tu thotë: Më falni se ju gënjeva! Vetëm pas kësaj, edhe ata mund ta kuptojnë, se marrëveshja e arritur është shumë e mirë për të gjitha palët.
AlpeNews.al