“Top Story” u zhvendos këtë të hënë në shtëpinë e vënë në qendër të vëmendjes, jo vetëm të medias, por edhe të Prokurorisë.
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, thyen sërish heshtjen për dosjen “Habilaj”, për Audin e famshëm, për raportin tashmë të ndryshuar me Edi Ramën, Partinë Socialiste dhe karrierën politike.
Tahiri e nisi rrëfimin e tij me ndjesinë që pati kur në shtëpi hynë për kontroll prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore. Ai thotë se e parashikonte këtë.
“Ndjesi e sikletshme por jo e paparashikuar për mua, pavarësisht se detyra më ka bërë që të shikoja anën e atyre që hynin në shtëpinë e njerëzve. Kuptova që është procedurë goxha e vështirë, veçanërisht për familjarët. Kam kuptuar të gjithë ata që janë ndjerë disi të dhunuar nga policia dhe u kam dhënë më shumë të drejtë atyre që në kohën kur më ankoheshin ndoshta i neglizhoja pak”,- deklaron Tahiri.
Tahiri thotë se familja e ka pritur me shumë stres.
“Askush nga ata nuk e ka menduar që politika në Shqipëri mund të ketë këto kosto. Kjo e ka kthyer politikën deri diku në një instrument që u është neveritur njerëzve. Ka shkuar përtej limiteve, por mua nuk më është neveritur, sepse mendoj që periudha të tilla për mua, ndoshta shërbejnë që të tjerë pas meje mos e kalojnë padrejtësisht”,- thotë ai.
Deputeti thotë se nuk ka imunitet.
“Unë nuk kam imunitet dhe jam, të paktën në dijeninë time, deputeti i vetëm që policia e prokuroria i kanë hyrë për kontroll në shtëpi, edhe pse ka patur raste kur akuzat kanë qenë shumë më reale. Nuk jam fshehur kurrë pas imunitetit dhe nuk kam imunitet. Asnjë deputet nuk ka imunitet. E vetmja gjë që po e konsideroj imunitet është kontrolli i banesës dhe arrestimi me burg”,- thotë ai.
Tahiri deklaron se asnjëherë nuk ka paragjykuar një vendim të gjykatës.
“Nuk e kam paragjykuar vendimin e gjykatës, mirëpres çdo përpjekje për të hedhur dritë, siç do të hedh unë dritë për të vërtetën. Do të përballem me çdo kosto dhe pasojë të veprimeve të mia për të nxjerrë të vërtetën. Ajo që është keqkuptuar është një pyetje idiote e ca njerëzve që prisja të kishin më shumë logjikë në këtë histori”,- u shpreh ai.
Ka edhe një koment lidhur me përjashtimin nga Partia Socialiste.
“Nuk e pashë si gjyq politik përjashtimin nga Partia Socialiste. Edhe sikur një deputet apo drejtues i vetëm në PS, e çon nëpër mend që mund të më bëjë gjyqin politik, unë nuk e pranoj në asnjë rast”,- u shpreh ai.
Të njëjtin qëndrim ruan edhe për Parlamentin, për të cilin thotë se është defaktorizuar.
“Është komplet jashtë çdolloj pritshmërie të qytetarëve. Nuk e shihja të arsyeshme të humbisja asnjë minutë kohë në atë Parlament, sepse betejën e kam me drejtësinë. Deri kur të bëhet drejtësi nuk kam se çfarë të pres. Parlamenti është jo përfaqësues dhe shumë larg pritshmërisë së njerëzve dhe i referohem asaj që ndodh atje çdo të enjte dhe realisht është për turp”,- u shpreh ai.
Ish-ministri i Brendshëm nuk beson se është “barrë për Partinë Socialiste”, ndërsa përjashtimin e thotë se e mirëkupton dhe se e ka kërkuar edhe vetë.
“Në kushtet që jemi ishte një qëndrim gati i detyrueshëm për të mos pasur asnjë koment politik. Unë këtë e kam kërkuar vetë nga kryetari i PS. Kam kërkuar të mos kem asnjë mbrojtje dhe asnjë koment, sepse s’ka pse bëhet politikë në këtë histori. Pres që të gjithë ta marrin të vërtetën nga fjala e drejtësisë, jo nga unë. Nuk prisja më shumë nga vendmarrja e PS”,- shpreht ai.
Deputeti i përjashtuar nga grupi socialist, thotë se është në komunikim të vazhdueshëm me kolegët e tij, megjithëse për shkak të rrethanave mbetet një komunikim i kufizuar. Ai tregon edhe takimin e parë me Kryeministrin Rama pas shpërthimit të bombës “Habilaj”.
“Secili ushtroi detyrën e vet dhe përgjegjësinë e vet përballë njëri-tjetrit dhe përballë publikut. Ishte një diskutim i hapur”,- tregon ai.
Ish-ministri i rikthehet çështjes së Audit.
“Mund të isha treguar më i kujdesshëm në shitjen e makinës, megjithatë ky është një gabim njerëzor që mua po më kushton. Nëse do ta kisha menduar gjatë në atë kohë nuk do ta bëja. Kam patur detyrimin t’i shpjegoj Kryeministrit në atë kohë vendimet që kam marrë dhe pse kanë ndodhur”,- deklaron ai.
/TCH/