Pas “Rrugës së Kombit”, ajo ishte vepra e dytë më e madhe publike që pritej të ndërtohej në historinë e Shqipërisë. Ishte ëndrra e madhe për ta bërë Elbasanin “lagjen jugore” të kryeqytetit, duke eleminuar rrugën e tmerrshme të Krrabës të ndërtuar këtu e një shekull më parë nga austriakët, për qëllime ushtarake.
Projekti i ri parashikonte që segmenti, që lidh kryeqytetin me Elbasanin në vetëm 31 kilometra rrugë, të shkurtonte kohën me 50 minuta për udhëtarët. Rruga parashikohej të kishte 4 korsi, 7 mbikalime dhe 4 nënkalime. Ndërtimi i Autostradës Tiranë-Elbasan nisi më 29 prill të vitit 2011.
Vlera totale e investimit të segmentit, prej rreth 290 milionë dollarësh, u sigurua përmes disa donacioneve me mbështetjen e Bankës Islamike për Zhvillim.
Më 17 mars 2017, disa javë para zgjedhjeve të qershorit 2017, qeveria dërgoi në Parlament marrëveshjen e kredisë që përmbyllte plotësisht financimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Marrëveshja parashikon marrjen e një kredie tjetër prej 35 milionë e 174 mijë dollarësh amerikanë nga Banka Islamike e Zhvillimit, e cila do të përdoret për të financuar koston shtesë të dalë mbi projektin fillestar.
Fillimisht ishte parashikuar që autostrada të përfundonte brenda vitin 2014. Por, gjatë ndërtimit, projekti rezultoi me probleme për shkak të rrëshkitjes së dheut në një zonë me gjatësi 4 kilometra rreth Ibës dhe Mulletit. Kapërcimi i kostos mbi vlerën fillestare të tenderuar dhe problemet financiare të kompanisë ndërtuese e zvarritën ndërtimin e rrugës për më shumë se 3 vite.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë me dije se kostoja totale e projektimit të autostradës Tiranë-Elbasan, nga zona e Komunës së Parisit deri në zonën e Bradasheshit, është 160.250.000 lekë (pa TVSH). Nga Komuna e Parisit deri te “TEG”-u është 4.900.258.470 lekë, kurse segmenti TEG-Tuneli i Krrabës-Bradashesh është 313.931.742 dollarë. Kostoja fillestare e parashikuar gjatë fazës së projektimit për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan ka qenë 356.000.000 dollarë.
Inxhinier Xhevair Ngjeqari është shprehur se, për rrugën Tiranë-Elbasan kostoja totale e ndërtimit ka shkuar rreth 400 milionë euro. Sipas tij, projektimi ishte gabim, pasi kishte kosto të madhe. Ai tregon edhe projektin e dytë që kishte për këtë rrugë, me një kosto më të ulët, e cila shkonte në rreth 120 milionë euro.
“Ndërtimi i rrugës në këtë zonë është i gabuar. Zona ka rrëshkitje të mëdha, madje duken edhe me sy të lirë. Të gjitha kodrat rrëshkasin, gjë që solli edhe vonesat në përfundimin e kësaj vepre”, përfundon inxhinieri.
Për zgjatjet e afateve të punimeve për seksionin 1 dhe 3 në projektin Tiranë-Elbasan, kompania kontraktore ka bërë përgjegjës Autoritetin Rrugor Shqiptar duke ngritur pretendime për të kërkuar dëmshpërblime per vonesat dhe zgjatjet e afateve te punimeve. Përgjegjësia kryesore deri tani për këtë skandal me përmasa të mëdha, për të cilën po heton edhe Prokuroria, është adresuar mbi ish drejtorin e ARRSH-së Dashamir Xhika. Ai ka drejtuar këtë Autoritet për 4 vite me radhë, i propozuar në këtë detyrë nga LSI.
Detajet: Sipas vendimeve të Bordit për shqyrtimin e pretendimeve, të cilat janë të formës së prerë, demi i shkaktuar si pasojë e zgjatjes së afateve të punimeve për segmentin 1 është në shumën 25,220,016.37 USD dhe për segmentin 3, në shumën 11,665,552.31 USD, në total në shumën 36,885,568.68 USD.
Konstatohet se për shqyrtimin e pretendimeve për të dy segmentet, nga treshja e Lëvizjes Socialiste për Integrim kryesuar nga ish-drejtori i ARRSH-së Dashamir Xhiko janë bërë amendime të kushteve të përgjithshme të kontratave bazë. Konkretisht për segmentin 3 është bërë amendimi nr. 7 datë 4.7.2017, kur punimet për këtë segment ishin marrë në dorëzim me procesverbalin e datës 09.03.2015, ndërsa për seg. 1 është bërë amendimi 12 datë 24.07.2017. Konstatohet se për amendimet e mësipërme të kontratave nuk ka një mbështetje ligjore dhe nuk janë marrë për bazë interesat më të larta të shtetit në nënshkrimin e tyre. Me anë të këtyre amendamenteve i është krijuar mundësia për rivendosjen në afat të kontraktorit, në mënyrë që të mund të iniciohej procedura e zgjidhjes së mosmarrëveshjes me anë të ekspertëve.
Ky skandal pritet të jetë një nga çështjet e para që do i kërkohet prokurores së re të përgjitheshme që ta hetojë.
Përgatiti: AlpeNews.al