Këto ditë, teksa ecni nëpër rrugët e Tiranës, me siguri i keni vënë re disa korsi të reja, ngjyrë tulle, apo punonjës që vendosin trafik ndarëse të kuqe përgjatë Bulevardit.
Janë korsitë që Bashkia e Tiranës po shtron për mbi 4 mijë biçikletat që do të pushtojnë kryeqytetin shumë shpejt. Një mjet i lirë alternativ transporti për qytetarët, që do t’i ndryshojë fytyrën Tiranës, e cila me aksionin e mbjelljes së pemëve dhe linjën e autobusëve elektrikë po hyn në fazën e revolucionit të gjelbër.
Segmenti i parë i 10 km korsi të dedikuara biçikletash që ka përfunduar është ai në Bulevardin “Zogu I”. Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga një grup të rinjsh, të apasionuar pas biçikletës, inspektoi punimet e kryera dhe theksoi se ky është vetëm fillimi i një projekti që do të vazhdojë të shtrihet edhe më tej.
Ai shtoi se synimi është që brenda një kohe të shkurtër, Tirana të ketë një rrjet minimal korsish të mbrojtura për biçikletat, çka natyrisht do të nxisë edhe më shumë përdorimin e tyre në kryeqytet.
Po kështu, ai theksoi se qytetarët duhet të respektojnë sinjalistikën për korsitë e dedikuara. Për të ndërgjegjësuar qytetarët të respektojnë sinjalistikën, Veliaj tha se do të angazhohen disa vullnetarë.
Përfaqësuesi i grupit të vullnetarëve të EcoVolis, Ened Mato, vlerësoi projektin ambicioz të Bashkisë së Tiranës, duke theksuar se për herë të parë pas 27 vitesh, Tirana ka një plan konkret për ndërtimin e korsive të biçikletave.
Korsia e biçikletave kalon në trotuarin e mesit në Bulevardin “Zogu I”, fillon në Unazën e Vogël dhe përfundon në Unazën e Mesme në veri. Korsia e biçikletave ka një gjatësi rreth 1.2km vajtje-ardhje dhe gjerësi 2.5 m, me dy sense lëvizjeje. Përveç shtresave të nevojshme asfaltobetonit dhe aksesorëve të tjerë, korsitë e biçikletave janë pajisur me sinjalistikën e duhur për orientimin e kalimtarëve dhe çiklistët.
/ata.gov.al




